16 Dhjetor 2022•Përditësim: 20 Dhjetor 2022
Në Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Istanbul u hap ekspozitë e skultporit shqiptar Xhelil Rufati me titull "Ilirikum", raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi ka studiuar në Departamentin e Skulpturës në Akademinë e Arteve të Bukura të Prishtinës, Rufati është ndër themeluesit e Fakultetit të Artit në Tetovë, ndërsa prej vitit 1994 punon si ligjërues i skulpturës.
Rufati, i cili ka mbajtur shumë ekspozita në SHBA, Francë dhe Gjermani si dhe në rajonin e Ballkanit, për AA tha se në ekspozitë janë përfshirë skulpturat e tij surreale dhe moderne.
Duke theksuar se veprat e tij janë të frymëzuara nga traditat e lashtësisë dhe mitologjia, Rufati tha se ekspozitën e ka quajtur “Ilirikum” pasi është frymëzuar nga qytetërimi ilir që ka jetuar në perëndim të Gadishullit Ballkanik në kohët e lashta.
Duke shpjeguar se ka bërë skulptura nga shumë materiale si mermeri, bronzi, hekuri dhe qelqi, Rufati tha: "Kam sjellë skulptura të vogla nga koleksioni im këtu në Istanbul për t'i ekspozuar dhe jam shumë i kënaqur me organizimin. Dua ta falënderoj Qendrën Kulturore të Maqedonisë së Veriut. Jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin mes Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut".
Duke theksuar miqësinë e kahershme mes turqve dhe shqiptarëve, Rufati tha: "Kjo lidhje është shumë e rëndësishme. Mendoj se bashkëpunimet kulturore janë të rëndësishme. Në këtë kuptim, i kushtoj shumë rëndësi kësaj ekspozite. Jam i sigurt se në të ardhmen do të bëhen punime më të mira kulturore nën udhëheqjen e Qendrës Kulturore të Maqedonisë së Veriut. Artistët më të rëndësishëm nga zona të ndryshme të Maqedonisë së Veriut do të vijnë këtu".
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 19 dhjetor.