Peja, shëtitje mes historisë dhe gjallërisë urbane
Qyteti i Pejës vazhdon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për vizitorët falë ndërthurjes së trashëgimisë historike, natyrës së pasur dhe gjallërisë urbane.
Agim Sulaj
18 Prill 2026•Përditësim: 18 Prill 2026
photo: Erkin Keçi / AA
Pejë
I vendosur në perëndim të Kosovës, qyteti i Pejës vazhdon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për vizitorët falë ndërthurjes së trashëgimisë historike, natyrës së pasur dhe gjallërisë urbane, raporton Anadolu.
Sheshi qendror i qytetit, që shërben si pikë takimi për banorët dhe turistët, karakterizohet nga gjallëria e përditshme dhe arkitektura bashkëkohore e ndërthurur me elemente tradicionale.
Anash sheshit, shushurit ëmbël Lumbardhi i Pejës, i cili ka një gjatësi rreth 60 kilometër dhe i jep zonës një atmosferë të veçantë dhe freski natyrore. Brigjet e lumit janë shndërruar në hapësira të preferuara për shëtitje dhe relaksim.
Foto : Erkin Keçi/AA
Vetëm pak metra larg sheshit, Çarshia e Vjetër e Pejës ka ruajtur ende frymën e dikurshme tregtare të qytetit. Me të hyrë në rrugën e saj, në të dy anët janë vendosur dyqane artizanale, lokale tradicionale dhe rrugica karakteristike me kalldrëm.
Foto : Erkin Keçi/AA
Ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qytet është Xhamia e Bajraklisë, e cila ndodhet brenda Çarshisë së Vjetër. Ky monument, që i përket periudhës osmane, dëshmon për historinë shekullore të Pejës dhe rëndësinë e saj në zhvillimet fetare e shoqërore të rajonit.
Foto : Erkin Keçi/AA
Po ashtu, Muzeu i Qytetit të Pejës, i vendosur në një ndërtesë historike, paraqet vlera të rëndësishme etnografike dhe historike, duke reflektuar jetën dhe traditat e kësaj zone ndër shekuj. Në të mund të gjesh ende gurë dhe pjesë godine të hershme deri nga shekulli i dytë dhe i tretë.
Gjithashtu, treni i qytetit të Pejës, një prej mjeteve që të lidh me kryeqytetin kosovar, Prishtinën, i jep qytetit një ritëm të veçantë dhe mbetet ende një mundësi për udhëtim nostalgjik.
Foto : Erkin Keçi/AA
Në qytetin e Pejës, ngado që të endesh, horizonti të shoqërohet me vargmalet e bukura përreth me majat e tyre me borë, që i japin qytetit një pamje madhështore.