Agon Fehmiu
06 tetor 2015•Përditësim: 06 tetor 2015
PRISHTINË (AA) – Protesta e studentëve para Rektoratit të Univerasitetit të Prishtinës është tensionuar dhe erdhi deri tek një konfrontim ndërmjet tyre dhe policisë, në momentin kur studentët tentuan të hynë me dhunë në Rektorat, raporton Anadolu Agency.
Në protestën e organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, para Rektoratit janë tubuar disa qindra studentë të cilët po kërkojnë kushte më të mira për studime, ngritjen e nivelit të vlerësimit, kthimin e afateve të provimit në nëntor dhe prill, si dhe heqjen e ndikimit të politikës nga Universiteti.
Pas fjalimeve të disa përfaqësuesve të studentëve, pjesëmarrësit e protestës tentuan që me dhunë të futen në ambientet e Rektoratit, në çka ka reaguar policia dhe me këtë rast erdhi deri tek konfrontimi. Ndërkohë, nga ndërtesa e Rektoratit dolën edhe policë të njësitit special dhe në këtë moment studentët u ulën në tokë, duke e vazhduar protestën në mënyrë të qetë dhe me kërkesë që t’iu drejtohet rektori Zejnullahu.
Gjatë konfrontimit me policinë, një student ka marrë lëndime të lehta ndërsa, pasi që studentët vazhduan protestën të qetë, njësiti special dhe policia u tërhoqën.
Aktualisht, objektin po e ruan vetëm sigurimi i Rektoratit.
Studentët insistojnë se protesta e tyre do të jetë paqësore dhe se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre që nepotizmi dhe dukuritë tjera negative të largohen përgjithmonë nga UP-ja. Ata po ashtu theksuan se nuk po dojnë të bëjnë pazar dhe negociata por po këkrojnë vendime të prera që do ta përmirësojnë gjendjen në UP.