Ula er-Rimavi,Said İbicioğlu
12 Prill 2016•Përditësim: 12 Prill 2016
JERUSALEM (AA) – Kreu i Partisë Vefa dhe Islah (Besnikëri dhe Përmirësim), Shejh Husam Ebu Lejl, e cila u themelua dje në Palestinë, ka pohuar se kjo parti nuk ka dalë nga Lëvizja Islamike e cila ishte ndaluar nga ana e Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ebu Lejl, në deklaratën për AA tha se Partia Vefa dhe Islah është parti politike e pavarur dhe i hodhi poshtë pohimet se partia ka lidhje me Lëvizjen Islamike, edhe pse të dyja ndajnë disa parime të përbashkëta.
“Disa nga themeluesit mund të kenë pasur të kaluar në Lëvizjen Islamike, por partia nuk lindi nga Lëvizja Islamike”, deklaroi Ebu Lejl. Gjithashtu, ai theksoi se partia do të ndjekë një politikë e cila do të mbështetet në parimin e publicitetit dhe vlerat arabe dhe islame.
Ebu Lejl u shpreh se: “Nxitjet nga ana e medias izraelite se partia jonë qenka një version i Lëvizjes Islamike është një qasje që përmban targetime dhe ndjekje, gjëra me të cilat jemi mësuar. E prisnim këtë gjë.”
Ebu Lejl, i cili bëri të ditur se partia është e hapur për të gjithë palestinezët, tha më tej se: “Partia përbëhet nga dy krahë. I pari nga këto është krahu i cili merret me politika të brendshme që kanë të bëjnë me popullin palestinez, por që nuk interesohet për hyrje në Knesset (Parlamentin e Izraelit). Ndërsa i dyti është krahu social i cili dëshiron ta konsolidojë prezencën palestineze.”