Besar Ademi, Cuneyt Davut
03 Dhjetor 2015•Përditësim: 03 Dhjetor 2015
IDOMENI (AA) – Mbi tre mijë emigrantë ekonomik, ndër të cilët edhe refugjatë nga Siria, Afganistani dhe Iraku, janë të bllokuar në vendkalimin kufitar greko-maqedonas, si pasojë e protestave të emigrantëve ekonomik të cilët kërkojnë që kufiri të jetë i hapur për të gjithë dhe mos të selektohen personat nga origjina prej nga vijnë, raporton Anadolu Agency (AA).
Protestat e emigrantëve ekonomik filluan që nga mëngjesi i sotëm, por në mesditë në momentin kur një grup refugjatësh kalonin kufirin u përshkallëzua situata. Ata kërkojnë që t’iu jepet leje të gjithëve të kalojnë kufirin, në të kundërtën nuk do të lejohen të kalojnë kufirin as refugjatët nga Siria, Afganistani dhe Iraku.
Ndërkohë, gjendja në qendrën për pritje të refugjatëve vazhdimisht vështirësohet. Në radhët e gjata të refugjatëve dhe emigrantëve ekonomik që presin për ushqim dhe ndihmë të parë, vazhdimisht shfaqen konflikte mes tyre.
Udhëheqës i ekipit të UNHCR-së në kampin e refugjatëve në Idomeni të Greqisë, Alexander Zvargulis theksoi se që nga mbyllja e kufirit nga emigrantët ekonomik, në kampin e refugjatëve në Idomeni ndodhen mbi tre mijë refugjatë, ndërsa mëngjesin e nesërm pritet të arrijnë mbi dy mijë të tjerë.
“Mbi dy javë janë mbyllur kufijtë për emigrantët ekonomik. Njerëzit janë të bllokuar këtu, ne përpiqemi për t’i mbuluar me nevojat themelore derisa të gjendet një zgjidhje për këtë. Kufiri duhet të jetë i hapur për të gjithë. UNHCR konsideron se refugjatët nuk duhet të selektohen nga origjina prej nga ata vijnë”, deklaroi Zvargulis
Udhëheqësi i ekipet mjekësor të Federatës së Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Ulaf Rossitz bëri të ditur se situata në qendrën për pritje të refugjatëve në Idomeni është përkeqësuar, për arsye se tashmë disa orë kufiri është i mbyllur.
“Zyrtarisht kufijtë ende janë të hapura për refugjatët nga Siria, Iraku dhe Afganistani, por për arsye të demonstratave në kufij, të cilat ende janë duke vazhduar, kufiri është mbyllur nga emigrantët ekonomik. Refugjatët e tjerë që janë duke ardhur në kamp, policia përpiqet t’i vendos në një vend tjetër, për arsye se kampi është i mbushur dhe nuk ka hapësirë për persona tjerë”, deklaroi Rossitz.