Riyaz Khaliq Khaliq
18 qershor 2026•Përditësim: 18 qershor 2026
Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., e ka ftuar homologun e tij rus, Vladimir Putin, të marrë pjesë në Samitin e 21-të të Azisë Lindore, i cili do të mbahet më vonë këtë vit në Manila, transmeton Anadolu.
Zyra e presidentit filipinas njoftoi se Marcos e bëri ftesën mbrëmë gjatë një takimi dypalësh me Putinin në qytetin Kazan, në jugperëndim të Rusisë.
Presidenti filipinas, në cilësinë e kryesuesit aktual të Asociacionit të Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), ndodhet në Kazan, ku Putini sot do të presë liderët e bllokut për një samit përkujtimor, ndërsa të dyja palët shënojnë 35-vjetorin e marrëdhënieve mes tyre.
Marcos i tha Putinit se Samiti i Azisë Lindore “mbetet një pjesë integrale për ruajtjen e arkitekturës rajonale drejt objektivit tonë të përbashkët për një rajon të qëndrueshëm, të sigurt dhe të begatë”.
Para samitit të liderëve, ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Maksim Reshetnikov, i tha të mërkurën forumit të biznesit ASEAN-Rusi se tregtia midis Rusisë dhe bllokut është rritur me 58% gjatë dekadës së fundit, duke arritur në 21 miliardë dollarë.
Në planin dypalësh, Marcos kërkoi "bashkëpunim më të fuqishëm tregtar dhe ekonomik" me Rusinë, duke theksuar potencialin e madh për zgjerim, veçanërisht në fushat e energjisë dhe sigurisë ushqimore.
Duke kujtuar takimet e komisionit të përbashkët për bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve, Marcos tha se energjia dhe siguria ushqimore "janë shfaqur si përparësi të përbashkëta për të dy shtetet".
Pas ndërprerjeve në furnizimet globale me naftë të shkaktuara nga lufta SHBA-Izrael me Iranin, Filipinet, një vend me mungesë burimesh energjetike, u bënë shteti i parë që shpalli gjendje emergjence ekonomike dhe blenë naftë bruto nga Rusia në muajin mars, pas një përjashtimi të dhënë nga SHBA-ja ndaj sanksioneve kundër Rusisë.
Të dy vendet shënojnë 50-vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe që nga vizita historike e Ferdinand Marcos Sr., babait të presidentit aktual, në Bashkimin Sovjetik të atëhershëm në vitin 1976, e cila çoi në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.