Enes Kanlı
07 janar 2016•Përditësim: 08 janar 2016
BEJRUT (AA) - Tensionet të cilat u rritën nga deklaratat e ndërsjella pas ekzekutimit të dënimit me vdekje të klerikut fetar shiit Ajetullah Nemr Bakır en-Nemr në Arabinë Saudite, arritën majën pasi përfaqësitë diplomatike të Arabisë Saudite në Teheran u dogjën nga protestuesit, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjashtë shtete të cilat u mblodhën nën çatinë e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit pas sulmeve ndaj misioneve diplomatike të Arabisë Saudite në Iran, me qëllim të solidarizimit me Arabinë Saudite treguan reagime në nivele të ndryshme në lidhje me sulmet ndaj misioneve diplomatike.
Menjëherë pas sulmeve Arabia Saudite ishte ajo që ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe njoftoi se iu kishte dhënë diplomatëve iranianë 48 orë afat që të largoheshin nga vendi. Ndërsa disa orë pas njoftimit të Rijadit zyrtar, vendi i vogël ishullor Bahreini dhe Sudani vend i Afrikës duke akuzuar Iranin për nxitje të popullatës Shiite në vendin e tyre njoftuan ndërprerjen plotësisht të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe gjithashtu iu dhanë 48 orë kohë diplomatëve iranianë që të largoheshin nga vendi.
Ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) të cilat kanë një volum të lartë tregtar me Iranin brenda po të njëjtës ditë njoftuan reduktimin e marrëdhënieve me Iranin në nivel të të ngarkuarit me punë. Kuvajti dhe Katari ditën e djeshme me qëllim proteste për sulmet e ndërmarra ndaj përfaqësive diplomatike të Arabisë Saudite në Iran njoftuan tërheqjen e ambasadorëve të tyre në Teheran. Më pas edhe vendi afrikan Xhibuti njoftoi gjithashtu ndërprerjen plotësisht të marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Ndërsa pala iraniane duke bërë deklarata se kishte arrestuar 50 persona të cilët bastisën Ambasadën e Arabisë Saudite në Teheran akuzoi Rijadin për "ndjekjen e një politike që rrit tensionet dhe konfliktet në rajon".
- Rritet numri i atyre që dënuan Teheranin zyrtar-
Pas sulmeve të ndërmarra ndaj misioneve diplomatike të Arabisë Saudite në Iran, nga një numër i madh vendesh në të gjithë botën u rritën zërat e reagimeve kundër Teheranit zyrtar.
Në një deklaratë të bërë nga Ministria e Jashtme e Turqisë duke iu bërë thirrje për rikthim në gjuhën diplomatike u theksua se: "Sulmet ndaj misioneve diplomatike dhe misioneve konsullore të Arabisë Saudite në Iran janë shqetësuese. Turqia kërkon që sa më shpejt të jetë e mundur të lihen gjuhët kërcënuese dhe të ketë një rikthim në gjuhën diplomatike".
Gjithashtu edhe Pakistani që ka popullatë Shiite dhe vendi i gjirit Omanit në lidhje me ngjarjet duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje shprehën keqardhjet për sulmet dhe kërkuan që Irani të marrë masat e nevojshme.
Dënimet kundrejt Teheranit për shkak të sulmeve ndaj qendrave diplomatike erdhën edhe nga organizmat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurisë i OKB-së, Këshilli i Bashkëpunimit të vende Arabe të Gjirit dhe Liga Arabe, ku gjithashtu edhe vendet arabe si Jordania, Iraku, Maroku dhe Jemeni dënuan Iranin me tone të ndryshme.
- Ndikimi i tensionit në politikën rajonale-
Thyerja e thelluar në aksin Arabi Saudite-Iran thuhet se mund të ndikojnë në ri-ndarjen e pozitave gjeografike si tek Jemeni, Siria dhe Libani të cilat janë zona të konflikteve dhe të tensioneve.
Në Jemeni, cili kufizohet në jug me Arabinë Saudite, Lëvizja Shiite Ensarullah (Husi) me mbështetje nga Irani në shtator të 2014 përparoi drejt kryeqytetit Sana duke ndërhyrë kundër qeverisë, lëvizje këto të cilat sollën përballë dy vendet pas nisjes së sulmeve ajrore dhe tokësore të ndërmarra nga koalicioni nën udhëheqjen e Arabisë Saudite.
Gjithashtu edhe në luftën e Sirisë e cila vazhdon prej 5 vitesh Irani jep një mbështetje pa kushte ndaj regjimit të Asadit, ku Rijadi zyrtar në këtë pikë ndodhet në anën e opozitës si në rrugët diplomatike ashtu edhe në atë ushtarake.
Ndërsa në Liban i cili ndodhet mbi vijat ndarëse politike, në këtë vend Irani vazhdon mbështetjen intensive "financiare, ushtarake dhe politike" ndaj organizatës Hizbullah. Ndërsa Arabia Saudite si nëpërmjet bllokut politik ashtu edhe për shkak të lidhjeve të larta personale dhe politike që ka me Saad Hariri, djalin e ish Kryeministrit Refik Hariri ajo ndikon në politikën e vendit.
Qeveria saudite ditën e shtunë, njoftoi ekzekutimin e dënimeve me vdekje të 47 personave duke përfshirë edhe klerikun shiit Ajetullah Nemr Bakir en-Nemr. Pas reagimeve të Iranit ndaj dënimeve me vdekje Ambasada e Arabisë Saudite në Teheran dhe konsullata në Meshhed u dogjën nga protestuesit. Më pas qeveria e Arabisë Saudite për shkak të sulmeve ndaj ambasadës dhe konsullatës njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.