Ahmet Salih Alacaci
21 Prill 2026•Përditësim: 21 Prill 2026
Ministria e Jashtme e Iranit dënoi sot sekuestrimin e anijes së mallrave nga forcat amerikane, që dyshohet se po përpiqej të shmangte bllokadën në portet iraniane, transmeton Anadolu.
"Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Islamike të Iranit dënon fuqimisht veprimin e paligjshëm dhe të dhunshëm të 'ushtrisë terroriste' amerikane në sulmin ndaj anijes tregtare iraniane 'Touska', që ndodhi të dielën", tha ministria në një deklaratë.
Duke e quajtur incidentin një "formë piraterie detare dhe një akt terrorist", deklarata tha se ai shkeli ligjin ndërkombëtar si dhe armëpushimin dyjavor me SHBA-në që filloi më 7 prill.
Ministria kërkoi lirimin e anijes me flamur iranian, ekuipazhit të saj dhe familjeve të tyre.
"Pa dyshim, Republika Islamike e Iranit do të përdorë të gjitha kapacitetet e saj për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e saj kombëtare, për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e iranianëve", tha ajo duke pohuar se përgjegjësia për përshkallëzimin e mëtejshëm do të mbetet mbi SHBA-në.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi të dielën se forcat detare amerikane sekuestruan anijen mallrash me flamur iranian "Touska" në Gjirin e Omanit, pasi thuhet se ajo refuzoi të zbatonte udhëzimet e bllokadës.
CENTCOM-i tha të hënën se forcat amerikane kanë udhëzuar 27 anije tregtare të kthehen në një port iranian që kur filloi bllokada detare e porteve iraniane më 13 prill.