Nazmi Abduramani
17 Mars 2016•Përditësim: 18 Mars 2016
SHKUP (AA) – Në pajtim me konstatimet e seancës së fundit të Këshillit të Sigurimit të Maqedonisë, presidenti Gjorge Ivanov dje dhe sot përmes telefonit ka biseduar me presidentët dhe kryeministrat e vendeve – anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet e "Rrugës Ballkanike", me presidentin e Këshillit Evropian dhe me kryesuesin e Këshillit Evropian, lidhur me krizën aktuale të migrantëve dhe incidentin që ndodhi para tre ditësh në vijën kufitare jugore, thuhet në kumtesën e Presidencës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kumtesë thuhet se presidenti Ivanov ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Doland Tusk, ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës dhe kryesues me Këshillin Evropian, Bert Koenders, presidentët e Serbisë dhe Kroacisë, Tomisllav Nikoliç dhe Kolinda Grabar Kitaroviç dhe me kryeministrat e Sllovenisë, Çekisë, Austrisë dhe Polonisë, Miro Cerar, Bohuslav Sobotka, Verner Fajman dhe Beata Shidlo.
“Presidenti Ivanov ka njoftuar bashkëfolësit me ndodhitë në kufirin jugor dhe detajet për incidentin më 14 mars të vitit 2016, tentimit për hyrje të pakontrolluar të numrit të migrantëve dhe shtetasve të huaj në territorin e Maqedonisë dhe theksoi shqetësimin e mundësisë së përsëritjes së incidenteve të ngjashme. Ai informoi për reagimin me kohë, të suksesshëm dhe të përgjegjshëm të forcave të sigurisë të Maqedonisë, pa përdorim të dhunës”, thuhet në kumtesë.
Më tej bëhet e ditur se “Presidenti i Maqedonisë ka kërkuar ndërprerje urgjente të praktikës së bartjes së numrit shtesë të migrantëve të cilët do të vendosnin kampe në vetë vijën kufitare të Maqedonisë”, thuhet në kumtesën, duke shtuar se “Rruga Ballkanike për kalime ilegale është mbyllur”.
Shefi i shtetit në bisedën ka porositur se Maqedonia do t’i ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet për mbrojtjen e kufijve shtetëror dhe për ruajtjen e sigurisë kombëtare, më pas duke pasur parasysh detyrën për trajtim human ndaj refugjatëve.
Ai më tej informoi se vendi edhe në të ardhmen do të veprojë në pajtim me vendimet e Këshillit Evropian, do t’i ndjek veprimet e vendeve tjera përgjatë "Rrugës Ballkanike" dhe nuk do të lejojë hyrje ilegale të migrantëve në Maqedoni.
Kabineti i presidentit njoftoi se të gjithë bashkëfolësit kanë dënuar incidentin e 14 marsit duke theksuar se incidentet e tilla nuk guxojnë të përsëriten, ndërsa shprehën respekt dhe mbështetje për mënyrën se si Maqedonia përballet me krizën e migrantëve.