Senita Şeherçehayiç
09 Dhjetor 2015•Përditësim: 09 Dhjetor 2015
BRUKSEL (AA) - Duke folur në temën "Ndërtimi i shtetit në Bosnjë e Hercegovinë", në kuadër të konferencës në Parlamentin Evropian me rastin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, anëtar i Presidencës së BeH-së Bakir Izetbegoviç, tha se Marrëveshja e Dejtonit ka ruajtur integritetin e Bosnjë e Hercegovinës, por ka sjellë ndarjen e entiteteve, dhe kujtoi se autorët e gjenocidit janë në Hagë, por Srebrenica, në të cilën ushtria serbe praktikisht zhduki popullsinë myslimane, mbeti në 'Republikën Sërpska', raporton Anadolu Agency (AA).
Ai shtoi se marrëveshja krijoi strukturë të stërmadhe qeveritare dhe mekanizma për mbrojtjen e interesave kombëtare. "Me zbatimin e aneksit shtatë është arritur kthimi më efikas i pasurisë nga Lufta e Dytë Botërore, por kjo nuk ka rezultuar në kthimin masiv të personave të zhvendosur. Marrëveshja kishte parashikuar pesë institucione në nivel shtetëror, ndërsa ajo tani ka 75 institucione", ka thënë Izetbegoviç.
Izetbegoviç paralajmëroi për administratën e stërngarkuar shtetërore në të gjitha nivelet, e kushtëzuar nga strukturat komplekse të BeH-së, e cila ka nivelin shtetëror të qeverisë, entitetet, kantonet, komunat dhe Distriktin Bërçko.
"Pothuajse gjysma e tërë buxhetit të vendit shpenzohet në rehabilitimin e pasojave të luftës dhe në kujdesin për njerëzit. Duke mbajtur barrën e shtetit kompleks dhe kujdesin për të plagosurit dhe familjet e viktimave në BeH, ekonomia pothuajse ka arritur ekonomitë e vendeve fqinje që nuk kanë përjetuar fatkeqësitë e luftës", shtoi Izetbegoviç duke thënë se Prodhimi i Brendshë Bruto tregon rritjen e prodhimit industrial dhe bujqësor.
Ndryshimet në Marrëveshjen e Dejtonit, "askush askujt nuk do të mund ti imponojnë asgjë në BeH dhe çfarë do që ndodh, duhet të jetë rezultat i interesit dhe marrëveshjes së tre popujve konstituiv, por edhe të bashkësisë ndërkombëtare e cila nuk duhet të lejojë përsëritjen e luftërave shkatërruese në hapësirën evropiane", tha ai duke shtuar se me bashkimin e kantoneve do të zvogëlohet numri i tyre nga 10 në tre apo katër, si dhe të zgjidhet ajo që quhet çështja kroate në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
"Është e rëndësishme që të njohim interesat reale dhe të ndahemi nga keqkuptimet e rrënjosura kombëtare", tha Izetbegoviç.
Ai shtoi se populli serb në BeH shpesh kundërshton forcimin e shtetit, "edhe nëse kjo ka shkuar në favor të tyre", duke shtuar se vonimi i reformave në mënyrë të drejtpërdrejtë ka reflektuar në gjendjen ekonomike të 'Republikës Sërpska'.