Bekim Laci
27 nëntor 2018•Përditësim: 27 nëntor 2018
SHKUP (AA) - Komisioni parlamentar për çështjet e rregullores, mandatit dhe imunitetit, me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur, votoi për marrjen e mandatit të deputetit, të ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili aktualisht ndodhet në Hungari, raporton Anadolu Agency (AA).
Votimi i sotëm është inicuar nga një kërkesë e gjykatës, e cila kërkon paraburgim për Gruevskin, i cili akuzohet në disa procese të ndara gjyqësore, për parregullsi zgjedhore, në rastin “Titanik”, për parregullsi gjatë ndërtimit të autostradave, që njihet si rasti “Trajektorja”, për rrënimin e objektit Kosmos, “TNT”, për financimin jo ligjor të partisë, i nohur si procesi gjyqësor, “Talir”, si dhe për urdhrin për të shkaktuar dhunë në Komunën Qendër, që njihet si rasti “Shuplakat në Qendër” .
Me vendimin në fjalë, Komisioni vendosi që t'i marrë imunitetin Gruevskit, për çka i rekomandoi Kuvendit të Maqedonisë të votojë vendimin në seancë plenare, e cila me gjasë do të mbahet sonte.
Kryetari i komisionit parlamentar për çështjet e rregullores, mandatit dhe imunitetit, Pavle Bogoevski, në fjalimin e tij, u shpreh i zgjënyer nga siç tha, një situatë paradoksale e krijuar, ku duhet t'i merret imuniteti një deputeti i cili ndodhet në arrati dhe të dënuar nga gjykata.
“Flas si deputet, jam i zhgënjyer nga fakti që sistemi ynë nuk mundësoi që i dënuari Gruevski të vuaj dënimin me burg. Apeloj, duhet të zbatohet një hetim i plotë, për të parë se ku dështoi sistemi, por kjo përvojë, duhet të shërbejë si një leksion për të korrigjuar situatat për kontradikta të tilla. Ne do të debatojmë mbi këto pika, megjithatë është kontradiktore që njeriu është në arrati dhe ende gëzon mandatin e deputetit, ndërsa ne debatojmë për marrjen e imunitetit që të mund të arrestohet", tha Bogoevski.
Ish-kryeministri Gruevski, është dënuar me dy vjet heqje lirie për rastin “Tanku” lidhur me furnizimin e automjetit luksoz "Mercedes" në vlerë prej 570 mijë euro.
Ditë më parë, në profilin e tij në Facebook, ai konfirmoi se Hungaria është përgjigjur pozitivisht në kërkesën e tij për azil, të parashtruar në këtë vend.