Sibel Vezaj
29 Shtator 2016•Përditësim: 29 Shtator 2016
PRISHTINË (AA) - Kuvendi i Republikës së Kosovës, sot mbajti seancën plenare, ku kryeministri Isa Mustafa mbajti interpelancë për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, sipas kërkesës së deputetit të Kuvendit, Visar Ymeri, i cili ishte mbështetur nga 6 deputetë nënshkrues, raporton Anadolu Agency (AA).
Kërkuesi i interpelancës, Visar Ymeri u shpreh se Kosova nuk po bëhet anëtare e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) nga vetë fakti se për kodin telefonik aplikon Austria, ku Serbia ende është pronare e këtij kodi.
Duke vënë në dukje se Telekomi i Kosovës është ndarë nga Serbia 55 vite më parë, Ymeri u shpreh se me këtë marrëveshje, pas shumë vitesh lejohet edhe operimi i një kompanie telefonike serbe në Kosovë. Ai e vlerësoi këtë si një çmim të rëndë që Republika e Kosovës paguan për shkak të autoritetit të dhënë Serbisë për t’i caktuar kodet.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur nga 111 vende të botës, gjysma e anëtarësisë së ITU-së. Serbia jo vetëm që nuk e njeh por kushtetuta e saj e konsideron Republikën e Kosovës të jetë territor i saj. Ky fakt e përjashton Serbinë në rolin e përcaktimit të numrave për shërbimet telefonike të Republikës së Kosovës. Me marrëveshjen me Serbinë, kësaj të fundit i njihet kompetenca në qeverisjen në sektorin e telekomunikimit në Kosovë”, u shpreh Ymeri.
Ai theksoi se kodet ndërkombëtare duhet të vendosen drejtpërdrejtë nga ITU me Republikën e Kosovës, e jo në mes të Serbisë. Ymeri së fundi vuri në dukje se Kosova mund të aplikonte në ITU vetë ose nëpërmjet Shqipërisë për shfrytëzimin e kodit +355 të kësaj republike.
Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, gjatë interpelancës para deputetëve, rreth çështjes së kodit telefonik shtetëror u shpreh se me këtë marrëveshje, Kosova forcon sovranitetin shtetëror dhe heq nga përdorimi kodet që janë përdorur për 17 vite ilegalisht, duke marrë kodin e vet telefonik.
“Me këtë marrëveshje Kosova e ka forcuar sovranitetin shtetëror dhe integritetin e saj territorial dhe ka avancuar pozicionin e saj ndërkombëtar, sidomos në fushën e telekomunikacionit me faktin se organizata ndërkombëtare e telekomunikacionit do t’ia alokoj Kosovës kodin e saj telefonik ndërkombëtar. Jo Serbia por organizata ndërkombëtare e Telekomunikacionit”, u shpreh Mustafa.
Ai gjithashtu theksoi se Austria në janar të këtij viti ka aplikuar në ITU për të kërkuar kodin telefonik në emër të Kosovës. Mustafa shtoi se kjo kërkesë është bërë nga Austria për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, dhe që nëpërmjet saj do të mund të anuloheshin edhe pengesat që Serbia do të mund të bënte.
Ndërkaq, sa i përket kompanisë telefonike mobile serbe, Mustafa theksoi se ky nuk do të jetë një operator i tretë në Kosovë, sepse për këtë gjë nevojitet tenderim ndërkombëtar me konkurrencë shumëpalëshe.
Gjatë debatit për këtë çështje, kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka shprehur përkrahjen ndaj Qeverisë për arritjen e marrëveshjes së kodit telefonik në Bruksel.
Kurse deputeti nga radhët e PDK-së, Shukri Buja u shpreh se kjo çështje rrezikon sigurinë e brendshme të shtetit, duke vënë në dukje se “Ai që i rrezikon kodet telefonike mund t’i rrezikojë edhe institucionet e vendit”.
Deputetja e Kuvendit nga Alenca për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu u shpreh se operatorët ilegalë kanë vepruar në veri të Kosovës, duke vënë në dukje se lejimi i tyre ka shkaktuar dëme të shumta për konkurrencën. Ajo shtoi se Qeveria duhet t’i ndalë këto bisedime në Bruksel, të cilat janë në dëm të Kosovës, e në interes të Serbisë.
Ndërkaq, pos të tjerash, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka kërkuar votimin e rezolutës, për aplikimin e kodi telefonik ‘355’ për Republikën e Kosovës. Pas një pauze në seancë, do të vendoset nëse do të votohet kjo rezolutë apo jo.
Kurse sot pritet të mbahet edhe interpelanca e Kryeministrit Mustafa, sipas kërkesës së deputetit, Ismajl Kurteshi, lidhur me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.