Figen Shaban
05 Dhjetor 2017•Përditësim: 05 Dhjetor 2017
PRISHTINË (AA) - Kuvendi i Republikës së Kosovës ka ndërprerë seancën e sotme ku është shqyrtuar projektligji për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalimit të tij në seancë tha se përgatitjet për buxhetit në tërësi tregojnë kontekstin makroekonomik të vendit të cilat sipas tij flasin për një dinamizëm më të përshpejtuar. Haradinaj tha se rritja ekonomike për vitin 2018 parashikohet të jetë rreth 4.6 për qind.
Ai shtoi se këto projeksione japin shpresë se ekonomia po lëvizë drejt një niveli më premtues të rritjes “e cila do të ndikojë direkt në nivelin e punësimit në vend”. “Duke ju kthyer buxhetit, në të hyrat buxhetore pritet që të kemi rritje përafërsisht të njëjtë me rritjen ekonomike dhe është një përqindje shtesë për të llogaritur në masat që do të ndërmarrim për të zvogëluar informalitetin. Pra total të hyrat buxhetore pritet që të jenë 1 miliardë e 829 milion euro vlerë e cila është më e lartë se sa buxheti i rishikuar i vitit 2017 për rreth 6 për qind ose 104 milion euro”, tha Haradinaj.
Ndërsa, ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Bedri Hamza i cili prezantoi draft buxhetin e Kosovës për vitin 2018 tha se ky draft buxheti është hartuar nga Ministria e Financave me ndihmën e të gjitha institucioneve publike dhe në konsultim me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ai theksoi se ky draft buxhet mban në vete projektet e politikave reformuese të cilat do të kenë implikimet do të zgjasin me vite.
“Objektiv kryesore që e kemi patur gjatë zhvillimit të këtij draft buxheti është ruajtja dhe forcimi i stabilitetit fiskal të vendit. Me këtë buxhet që po e paraqes sot para jush ne sigurojmë se do të kemi rritje ekonomike stabile dhe të qëndrueshme që është bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të buxhetit, politikat tatimore që do të jenë mbështetëse të zhvillimit të sektorit privat. Ne do të bëjmë lehtësira të reja për prodhuesit dhe përpunuesit vendor dhe kjo do të sigurojë një ambient më të përshtatshëm të zhvillimit të biznesit në Kosovë”, tha Hamza.
Ndërsa, Visar Ymeri në emër të grupit parlamentar të partisë “Lëvizja Vetëvendosje" të opozitës, tha se partia e tij nuk do ta votojë buxhetin e propozuar. "Deficiti buxhetor në buxhetin e kaluar ishte 300 milionë euro, ndërkohë që në këtë buxhet është 277 milionë euro. Ajo që vërehet në buxhetin për vitin 2018 është një matematikë e thjeshtë e numrave, duke thjeshtësuar skajshmërisht nevojën për analizë makroekonomike", tha Ymeri.
Kurse, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se buxheti për vitin 2018, e kthen situatën para vitit 2015, kur ka pasur një planifikim të dobët buxhetor. Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtimin e parë të projektligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 do të vazhdojë nesër.