Ivana Ramadanova
05 Shtator 2016•Përditësim: 06 Shtator 2016
SHKUP (АА) – Me rastin e zgjedhjeve parlamentare të paralajmëruara për në muajin dhjetor, Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë, (KEMM) në ambientet qendrës së informacionit të BE-së mbajti një konferencë për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).
Dragan Antonovski nga Këshilli Drejtues duke folur për detyrimet që kanë mediat dhe vetërregullimin, tha se informimi profesional kontribuon drejt përmirësimit të situatës në fushën e medias.
"Prandaj dua të ritheksoj detyrimin për informim të drejtë, etik dhe profesional si dhe t'u jepet hapësirë të gjithë pjesëmarrësve në skenën politike, me theks të veçantë në përfshirjen e qytetarëve në mënyrë që të mund të zgjedhin drejt interesat e shtetit. KEMM u bënë thirrje mediave të respektojnë detyrimin kryesor, të informojnë qytetarin dhe të mos e gënjejnë atë, tu japin hapësirë të gjithë pjesëmarrësve në skenën politike dhe të debatojnë në mënyrë transparente duke respektuar standardet e informimit”, tha ai.
Kreu i Komisionit për Ankesa në KEMM, Mirçe Adamçevski tha se këtë vit kanë pranuar 89 shkresa ndërsa që nga fillimi i punës së komisionit kanë pranuar 130 ankesa.
"Komisioni ka punuar edhe gjatë verës, ku kemi marrë dhjetëra ankesa. Sa i përket kërkesave vazhdojnë të dominojnë portalet, sepse ata nuk janë të rregulluara (me ligj). Në periudhën e ardhshme presim rritje të numrit të ankesave. Numri më i madh ankesave ka të bëjë me injorimin e palës së dytë në tekst, përzierjen e fakteve me mendimin, prania e gjuhës së urrejtjes, si dhe për diskriminimin", tha Adamçevski.
Këshilli mbi Etikën e Mediave në shkurt të këtij viti inicioi nënshkrimin e Kartës për raportimin etik gjatë zgjedhjeve për mediat komerciale.
Karta u nënshkrua nga 32 media dhe nga Shoqata e Mediave Private në Maqedoni, e cila bashkon 60 media rajonale dhe lokale.