Sibel Vezaj
29 Dhjetor 2016•Përditësim: 29 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA)-Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, u miratua rezoluta për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës, sipas të cilit rrënimi i këtij muri ilegal do të ndodhë brenda muajit janar, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij iniciuesi për debatin në lidhje me murin, shefi i grupit parlametar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, u shpreh se fokusi është tek mosbetonizimi dhe ndarja e qytetit të Mitrovicës. Për këtë arsye, Lekaj theksoi se janë pajtuar që të largohen kërkesat për shkarkimin e menjëhershëm të ministres për Dialog, Edita Tahiri dhe ndërprerjes së negociatave me Serbinë.
“Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma dakordohon që muri në veri është gjëja më e shëmtuar që mund të ndodhë në zemrën e Evropës në shekullin 21”, tha Lekaj.
Ai paraqiti projektrezolutën të harmonizuar edhe me grupet e tjera parlamentare, ku kërkohet “Të rrënohet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, ku kjo të ndodhë brenda muajit janar të vitit 2017. Qeveria e Kosovës të angazhohet që organet kompetente për trajtimin e ndërtimeve pa leje t’i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për murin që është në ndërtim e sipër, i njëjti të trajtohet si veprim politik dhe ndërtim pa leje. Qeveria e Kosovës të marrë masat e nevojshme që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe e njëjta t’i përmbajë të gjitha elementet që i kishte para vitit 1999 dhe jo t’i shtohen elementet ilegale, muri dhe shkallët."
Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti kërkoi që pikat në rezolutë të jenë të formuluara drejt dhe më konkrete. Kurse deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi që të ketë dy ndryshime në pikën e parë dhe të dytën. Ajo kërkoi që “Te pika e parë të vihet saktësisht që të obligohet Qeveria, sepse nuk ka institucion tjetër që mund ta bëjë një gjë të tillë që të rrënohet muri ilegal dhe e dyta të saktësohet që fjala është për murin ilegal në urën kryesore të Mitrovicës."
Ndërkaq, përkundër këtyre kërkesave, shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj u shpreh se për këtë rezolutë është biseduar me të gjitha shefat e grupeve parlamentare dhe theksoi që në votim të vendoset ashtu si është.
Pas kësaj, projektrezoluta u votua pa ndryshime, me 74 vota pro dhe 2 abstenime.