Fatjon Cuka
20 Shtator 2016•Përditësim: 20 Shtator 2016
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë qëndrimit në SHBA, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mori pjesë në Samitin e OKB-së për refugjatët dhe migracionin, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë, behët e ditur se Nishani, bashkëkryesoi me zëvendëspresidentin e Parë të Komisionit Evropian, Frans Timmermans, tryezën e rrumbullakët me temë: "Kontrata Globale për ndarjen e përgjegjësive - për refugjatët dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare".
Presidenti Nishani, në fjalën e tij kryesore theksoi se në kushtet e paprecedenta ku 35 mijë njerëz zhvendosen forcërisht çdo ditë nga shtëpitë e tyre, si rezultat i konflikteve apo persekutimit, është e domosdoshme një qasje kolektive nga komuniteti ndërkombëtar.
"Vlerat, përkujdesja për jetët njerëzore dhe detyrimi për të mbrojtur të pafajshmit duhet të mbizotërojnë përkundrejt politikave populiste dhe pikëpamjeve të ngushta nacionaliste. Kjo është një çështje që përfshin si dimensionin e sigurisë ashtu edhe atë humanitar. Ndaj dhe qeveritë, ndajnë si barrën ashtu edhe përgjegjësinë për të përballuar flukset migratore dhe të refugjatëve që shikojmë sot", theksoi Nishani, bëhet e ditur në njoftimin e Presidencës.
Sipas tij, si kriza e refugjatëve ashtu dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit, dëshmojnë ndërvarësinë mes vendeve, çka e bën të domosdoshëm bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë të koordinuar dhe me politika të mirë përcaktuara.
"Rajoni i Ballkanit është i vendosur në një pozicion ku pasojat e presionit të flukseve migratore në Jug mund të arrijnë shpejt Evropën Perëndimore e Veriore. Rreziku aktual për të cilin duhet të tregojmë shumë vëmendje, është ai i përdorimit të migracionit për qëllime terroriste. Në këtë llogore askush nuk qëndron i vetëm, dhe as mund ta shmanget me vetëizolim", ka shtuar më tej presidenti i Shqipërisë.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti Nishani theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar nënkupton lidership politik dhe menaxhim efikas të lëvizjeve të refugjatëve, veçanërisht në planin rajonal dhe bashkëpunimin me agjencitë e specializuara ndërkombëtare.