Riyaz Khaliq Khaliq
06 korrik 2026•Përditësim: 06 korrik 2026
Pekini sot hodhi poshtë pretendimet se trupat ruse janë stërvitur në Kinë gjatë luftës në Ukrainë, raportuan mediat shtetërore, transmeton Anadolu.
Deklarata nga Pekini erdhi pasi Gjermania e ngriti çështjen me Kinën pas asaj që Berlini i quajti raporte "thellësisht shqetësuese" për trajnimin e supozuar të ushtarëve rusë.
"Ambasadori i Kinës në Gjermani është takuar së fundmi me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme gjermane me kërkesën e tyre, gjatë të cilit të dyja palët shkëmbyen pikëpamje mbi marrëdhëniet Kinë-Gjermani dhe çështje me interes të ndërsjellë", u tha gazetarëve në Pekin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.
Berlini thirri ambasadorin kinez për një takim urgjent javën e kaluar mbi këtë çështje.
Mao tha se Kina e ka bërë tashmë qëndrimin e saj "të qartë" dhe "të ashtuquajturat raporte janë të pabaza dhe thjesht të fabrikuara për të njollosur Kinën", tha ajo në përgjigje të një pyetjeje lidhur me takimin e Berlinit, i cili thuhet se u përqendrua në raportet që pretendonin se ushtarët rusë kanë marrë trajnim në Kinë, sipas "Global Times", gazetës shtetërore me seli në Pekin.
"Për krizën e Ukrainës, Kina ka mbajtur vazhdimisht qëndrim objektiv dhe të paanshëm, ka mbetur e përkushtuar ndaj promovimit të një zgjidhjeje politike të krizës dhe ka vazhduar të inkurajojë bisedimet e paqes në mënyrën e vet. Gjermania duhet ta shohë qëndrimin e Kinës në mënyrë objektive dhe racionale", shtoi Mao.