Agon Fehmiu
08 Janar 2016•Përditësim: 08 Janar 2016
PRISHTINË (AA) - Policia e Kosovës (PK) sot ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe ka hartuar planin operativ për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së organizuar nga tri partitë opozitare, e cila pritet të mbahet nesër më 9 janar, transmeton Anadolu Agency (AA).
PK thekson se partitë opozitare nuk e kanë paralajmëruar protestën në bazë të ligjit mbi tubimet publike prandaj, policia ka përgatitur planin operativ me qëllim që të ruajë sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës, të mbajë rendin dhe sigurinë publike dhe të zbatoj ligjin.
“Policia e Kosovës ka bërë shtimin e masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas protestës. Është planifikuar ndërmarrja e masave të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i të gjitha dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet. Policia është e gatshme për parandalimin, luftimin e dukurive negative dhe akteve kriminale të mundshme që në çfarëdo mase do të rrezikonte qetësinë publike” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka deklaruar publikisht se e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike dhe garanton se, si institucion i zbatimit të ligjit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për ta ruajtur rendin dhe qetësinë publike.
“PK-ja njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike” thuhet në komunikatën përmes së cilës, Policia e Kosovës siguron opinionin se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë dhe mbarëvajtjen e qetë dhe pa incidente të kësaj proteste.