Islam Uddin
25 Tetor 2023•Përditësim: 25 Tetor 2023
Pekini është i gatshëm të bashkëpunojë me SHBA-në për të arritur progres të ndërsjellë, deklaroi sot presidenti kinez Xi Jinping përpara një takimi të mundshëm me presidentin amerikan Joe Biden, raporton Anadolu.
"Kina është e gatshme t'u përmbahet tri parimeve të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm për të promovuar bashkëpunimin reciprok të dobishëm me SHBA-në, për t'i menaxhuar në mënyrën e duhur dallimet dhe për të punuar së bashku për t'iu përgjigjur sfidave globale, për të arritur sukses dhe prosperitet të ndërsjellë dhe të përbashkët që do të jetë në dobi të dy vendeve dhe botës", tha Jinping në një mesazh në Darkën Gala të Komitetit Kombëtar për Marrëdhëniet SHBA-Kinë të lëshuar nga Ministria e Jashtme.
Ai vlerësoi rolin aktiv të komitetit në nxitjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme midis dy vendeve. Deklarata e tij vjen përpara takimit të tij të mundshëm muajin e ardhshëm me Bidenin, nëse udhëheqësi kinez udhëton në San Francisko për të marrë pjesë në Samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi niset për një vizitë tre-ditore në Washington të enjten, ku do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
"Si dy fuqi botërore, nëse Kina dhe SHBA-ja mund të vendosin një mënyrë korrekte për t'u marrë vesh është thelbësore për paqen, zhvillimin botëror, të ardhmen dhe fatin e njerëzimit", tha Jinping duke bërë thirrje për "respekt të ndërsjellë, bashkëjetesë paqësore dhe bashkëpunimin "win-win" (fito-fito) për të promovuar bashkëpunimin me përfitim reciprok me SHBA-në.