Fatjon Cuka
27 Tetor 2015•Përditësim: 27 Tetor 2015
TIRANË (AA) – Në Ministrinë e Jashtme është prezantuar sot programi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Këshillit te Evropës (KE) për periudhën 2015-2017, ku në aktivitetin e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, përfaqësues të Këshillit të Evropës, etj, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Odeta Barbllushi, e pranishme në këtë takim, e vuri theksin në rëndësinë e këtij dokumenti, duke e vlerësuar si një dokument strategjik dhe që ofron fleksibilitet gjatë zbatimit të tij.
“Këshilli i Evropës ka luajtur një rol aktiv duke ofruar asistencën për institucionet shqiptare në kuadrin e reformave, për arritjen e standardeve në fushën e të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe demokracisë. Në të vërtetë shumë programe të KE-së janë zbatuar për herë të parë në Shqipëri. Frytet e këtij bashkëpunimi dhe asistenca mbi dy dekada janë të vlefshme dhe të prekshme. Ata janë materializuar në programe dhe projekte konkrete që janë zbatuar dhe vijojnë të zbatohen në Shqipëri. Prezantimi i këtij dokumenti përkon me 20 vjetorin e anëtarësimit të vendit në Këshillin Evropës dhe përbën një kuadër konkret bashkëpunimi dhe mbështetjeje për institucionet shqiptare për arritjen e standardeve në fushat prioritare dhe në kuadër të procesit të integrimit të vendit në BE”, u shpreh Barbullushi.
Këto fusha janë sipas saj disa, si reforma në sistemin e drejtësisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e shprehjes dhe shoqëria e informacionit, etj.
KE do të jetë përgjegjës për zbatimin e dokumentit në fjalë, monitorimin dhe rishikimin e tij, së bashku me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, si partnere kryesore.