Sibel Vezaj
19 Prill 2018•Përditësim: 20 Prill 2018
PRISHTINË (AA) - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Platformën Shtetërore për Finalizimin e Dialogut të Kosovës me Serbinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit thuhet se platforma në fjalë siguron proces transparent dhe gjithëpërfshirës, si dhe synon të jetë qëndrim unik i institucioneve të Kosovës ndaj këtij procesi.
Sipas njoftimit, platforma do të procedohet për diskutim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës dhe njëkohësisht do të informohet edhe presidenti i Republikës së Kosovës.
Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media tha se kjo platformë për fazën finale të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë ka qenë një diskutim i gjatë me kreun e Kuvendit, presidentin dhe spektrin politik.
“Qeveria më në fund ka përmbledhur një materie në formë platforme. Ia kalojmë Kuvendit që të mund ta diskuton dhe aprovon si rezolutë të veten. Duke qenë kështu, pra e kemi përmbushur një parakusht që mendojmë që është tepër i rëndësishëm, transparent dhe një proces që është i të gjithëve, e jo një proces ta quajmë ashtu, i cili është përjashtues. Pra, do t’u mundësoj të gjithëve të marrin pjesë në këtë platformë, në dakordim dhe në fuqizim të kësaj”, tha Haradinaj.
“Kur do të ndodh dialogu final, unë mendoj se është konsumuar dialogu ekzistues, e shihni nuk po jep më produkt e efekt. Pra, është një farë ushtrimi që nuk po jep rezultat dhe duhet të kalojmë në atë final, duhet të insistojmë në dialogun final”, theksoi Haradinaj, duke folur për kohën se kur mund të nis dialogu final mes dy shteteve.
Ai po ashtu foli për vizitën e tij në Shkup, ku bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme kishte takime me homologun e tij, Zoran Zaev, si dhe me Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.
“Të gjitha këto takime kanë qenë në frymën e perspektivës evropiane të Kosovës. Raporti është me evidencë të progresit. Por ajo që është konkrete, që na intereson neve, është liberalizimi i vizave. Besoj që në javët që vijnë do ta marrim konfirmimin për liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj.
Në lidhje me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Haradinaj tha se, “Kosova e ka kaluar atë mesataren e kërkuar për liberalizim. Procesi nuk ndalet, puna nuk ndalet, do të kemi edhe një vlerësim tani në maj, edhe njëherë do të testohet gjendja, por unë e kam bukur të sigurt dhe të qartë se në javët që vijnë do t’i konfirmohet Kosovës vendimi për liberalizim nga nivelet e larta të BE-së”.
Në anën tjetër në lidhje me deklarimin e Listës Serbe ‘se nëse Prishtina nuk fillon procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Lista Serbe do ta bëjë atë më 20 prill’, Haradinaj tha se, “Kosova është në proces të sipërm të hartimit të statutit, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, por marrëveshja e Brukselit nuk është diçka që vetëm Kosova ka vendosur në mënyrë të një anshme. Marrëveshja e Brukselit e ka paraparë që në fund Gjykata Kushtetuese me e dhënë vlerësimin, statuti i Asociacionit a është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës. Ky proces ka filluar dhe tani më nuk vlen ai ultimatumi".