Elena Teslova
13 Korrik 2023•Përditësim: 13 Korrik 2023
Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë deklaroi se samiti i NATO-s në Vilnius të Lituanisë shënoi kthimin e aleancës në mentalitetin dhe skemat e epokës së Luftës së Ftohtë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në uebfaqen e saj, ministria thekson se Perëndimi mbron interesat e një miliard banorëve të vendeve perëndimore dhe lufton për hegjemoninë e tij, duke u përpjekur të ndalojë formimin e një bote shumëpolare, përfshirë edhe mjetet ushtarake.
"Për Perëndimin, rendi i bazuar në rregulla është një privilegj i uzurpuar për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare. Rezultatet e veprimeve të NATO-s janë të njohura mirë, përhapja e pikave të nxehta të destabilitetit, shkatërrimi i shteteve, terrorizmi i egër, krimet e pandëshkuara të luftës, gjaku i civilëve, duke përfshirë fëmijë, flukse të pafundme refugjatësh”, thuhet në deklaratë.
Moska tha se Ukraina po i prin luftës së NATO-s kundër Rusisë dhe se asaj i është premtuar anëtarësim në aleancë dhe armë me rreze të gjatë.
Gjithashtu thuhet se në radhë për t'u bashkuar me NATO-n janë Gjeorgjia, Bosnje e Hercegovina dhe Moldavia, se anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë po bëhet me procedura të përshpejtuara dhe se Arktiku po militarizohet.
"Lindja e Mesme dhe Afrika janë shpallur zona të interesave strategjike, ku Washingtoni dhe aleatët e tij po përpiqen të imponojnë urdhrat e tyre dhe të thithin burimet sipas modeleve të dëshmuara neo-koloniale. NATO po zgjeron tentakulat e saj në rajonin Indo-Paqësor nën pretekstin e sajuar se zhvillimi i situatës atje mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë euroatlantike”, thuhet në deklaratë.