Nazmi Abduramani
10 Nëntor 2015•Përditësim: 10 Nëntor 2015
SHKUP (AA) - Në organizim të Institutit Maqedonas për Media dhe Këshillit për etikë në media, në bashkëpunim me UNESKO-n dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian, sot në Shkup u mbajt konferencë kushtuar mediave, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë, e financuar nga BE-ja, me temë “Etika gazetareske dhe vlerat mediale në rrethana specifike dhe gjatë zgjedhjeve”, ambasadori i BE-së në Maqedoni Aivo Orav u shpreh se mediat kanë rol të veçantë sidomos në situatën aktuale në vend ku në pritje janë zgjedhjet.
“Konferenca e sotme ndërlidhet me situatën në vend. Ndodhemi në një kohë specifike ku pasojnë zgjedhje. Mediat luajë rol shumë të rëndësishëm fillimisht për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike dhe pastaj për të kontribuar në mbajtjen e zgjedhje të lira dhe demokratike. Kjo përfshinë raportim të balancuar duke kontribuar në garë të nivelizuar garuesit. Ka edhe aktorë të tjerë në shoqëri të cilat duhet të luajnë rol të rëndësishëm. Shteti duhet të sigurojë që gazetarët të ushtrojnë punën në një ambient të sigurt dhe pa frikë”, deklaroi Ambsadaori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.
Nga ana tjetër Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi tha se liria e shprehjes është pjesë e pandarë e demokracisë, ndaj opinionit përmes tyre realizon të drejtën e informimit të saktë.
“Liria e shprehjes është pjesë e pandarë e definicionit të demokracisë dhe ngushtë e lidhur me mediat si burim i informacioneve në një shoqëri me qëllim të realizimit të drejtës së opinionit për t’u informuar saktë dhe me kohë për çështjet me interes publik që nga ana tjetër është ngushtë e lidhur me obligimin e mediave që të raportojnë në pajtim me standardet etike dhe profesionale”, deklaroi Zëvendëskryeministri Besimi.
Ndërsa Drejtoresha e Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë, Marina Tuneva apeloi mediat se ato janë kyçe në krijimin e kulturës në të cilën vetërregullimi do të funksionojë.
“Asnjëherë nuk ka qenë aq me rëndësi sikur tani kur po shqyrtohen praktikat gazetareske, ndërsa opinionit i nevojitet çelës që të kyçet në mirëkuptimin dhe kthimin e vlerave gazetareske. Si Këshill për etikë në mediat në vazhdimësi apelojmë mediat se ato janë shumë të rëndësishëm në krijimin e kulturës ku vetërregullimi do të funksionojë në mënyrë efikase”, u shpreh Tuneva.
Në pamundësi për të marrë pjesë në këtë konferencë, UNECKO përmes një letre u shpreh se krijimi i Këshillit për etikë në media ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera të UNESCO-s që në vitin 2008 për mbështetjen e lirisë së mediave dhe llogaridhënies profesionale në vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Që atëherë, UNESCO, me mbështetje të Bashkimit Evropian, ngrit vetëdijen për standardet profesionale gazetareske, etikën dhe llogaridhënien mediale, mbështetë krijimin e mekanizmave për llogaridhënie, zbaton studime dhe aktivitete për zvogëlimin e gjuhës së urrejtjes dhe punën në ndërtimin e sektorit të fuqishëm dhe të pavarur medial në rajonin e Evropës Juglindore”, thuhet në letrën e UNESCO-s.