Agim Sulaj
07 Maj 2019•Përditësim: 07 Maj 2019
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka heq dorë nga pjesëmarrja në samitin në Sarajevë, në kuadër të takimit vjetor të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për arsye të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton komunikata nga Zyra e Presidencës së Kosovës, Thaçi ka falënderuar BERZH-in për ftesën dhe trajtimin e barabartë të Kosovës në këtë takim, si dhe ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e tij.
Presidenti i Kosovës ka shpjeguar se e vetmja arsye e mospjesëmarrjes së tij në këtë takim, janë “marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë në nivelin më të ulët të mundshëm”.
“Përkundër vullnetit politik dhe gatishmërisë sonë shtetërore që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Bosnje Hercegovinën dhe njohje reciproke, fatkeqësisht deri më sot ky vullnet jo vetëm që nuk është pranuar, por shpeshherë edhe është keqpërdorur. Bosnjë dhe Hercegovina ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe për fatin e keq të qytetarëve të të dyja vendeve ky shtet ende e mban në fuqi regjimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.
Më tej, ai e ka quajtur paradoksale që lëvizja e lirë pa pasaporta dhe pa viza funksionon ndërmjet Kosovës dhe Serbisë derisa “Bosnjë dhe Hercegovina vazhdon t’i diskriminojë qytetarët e Kosovës me regjim të vizave”.
“Ne nuk mund të kuptojmë sesi Bosnjë dhe Hercegovina aplikon dhe sillet në këtë mënyrë tërësisht antievropiane dhe më të vrazhdë se vetë Serbia. Kosova mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”, përfundon komunikata.
Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi për rritjen e taksës doganore në 100 për qind për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.