Diyar Güldoğan
06 Maj 2026•Përditësim: 06 Maj 2026
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se ushtria amerikane do të pezullojë përkohësisht “Projektin Liria” për të rikthyer lirinë e lundrimit për transportin tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.
Trump tha se vendimi u mor me kërkesë të Pakistanit dhe vendeve të tjera dhe vjen pas asaj që ai e quajti “sukses i jashtëzakonshëm ushtarak” gjatë fushatës amerikane kundër Iranit.
“Bazuar në kërkesën e Pakistanit dhe vendeve të tjera, suksesin e madh ushtarak që kemi pasur gjatë fushatës kundër Iranit dhe, gjithashtu, faktin që është bërë përparim i madh drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit, kemi rënë dakord reciprokisht që, ndërsa bllokada do të mbetet plotësisht në fuqi, ‘Projekti Liria (lëvizja e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit) do të pezullohet për një periudhë të shkurtër për të parë nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe të nënshkruhet”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.
Trump e shpalli “Projektin Liria” të dielën, duke premtuar se do të shoqërojë anijet përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht këmbënguljes së Iranit se çdo kalim në këtë rrugë ujore kërkon miratimin e tij paraprak.
Tensionet rajonale janë rritur që kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani dhe ndërprerje në ngushticë.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhojnë marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi më pas u zgjat nga Trump pa një afat të caktuar. Që nga 13 prilli, SHBA-ja ka zbatuar bllokadë detare që synon trafikun detar iranian në këtë rrugë ujore strategjike.
Të martën, Irani prezantoi një mekanizëm të ri që rregullon kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, në mes të përplasjes me Washingtonin për këtë kalim strategjik.
Sipas sistemit, anijet që synojnë të kalojnë nëpër ngushticë marrin një email nga një adresë e lidhur me Autoritetin e Ngushticës së Gjirit Persik (PGSA), ku informohen për rregullat e tranzitit. Më pas, anijet duhet të respektojnë këtë kuadër përpara se të marrin lejen për kalim, sipas medias shtetërore Press TV.