Bekim Laci
15 Prill 2016•Përditësim: 16 Prill 2016
BRUKSEL (AA) - Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka paralajmëruar sot Maqedoninë të mos lejojë që kriza politike e cila ka përfshirë vendin të rrezikojë lidhjet e saj me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas tij, Evropa ka nevojë për një Maqedoni të qëndrueshme dhe të udhëhequr nga sundimi i ligjit. "E ardhmja euro-atlantike e vendit është vënë në rrezik," shkroi në Twitter presidenti i Këshillit Evorpian.
Republika e Maqedonisë është vënë në shënjestër të kritikave ndërkombëtare si pasojë e një vendimi të presidentit të vendit, Gjorgje Ivanov për të falur mbi 50 politikanë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror nga ndjekja penale.
Kjo ka rezultuar me protesta në rrugët e kryeqendrës së Maqedonisë, Shkupi, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e presidentit.