Agim Sulaj
03 Maj 2019•Përditësim: 04 Maj 2019
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takimin me krerët e vendit dhe anëtarët e ekipit negociator për dialog, e konsideroi "shumë produktiv dhe shumë konstruktiv", raporton Anadolu Agency (AA).
Veseli priti në takim presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe anëtarët e Ekipit Negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti për të diskutuar për dialogun me Serbinë.
Veseli pas takimit, në një konferencë për media tha se objektivi kryesor unanim i Kosovës, siç janë pajtuar në këtë takim, është anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Kryeparlamentari i Kosovës duke folur për taksën të cilën vendi i tij i zbaton produkteve të Serbisë, tha se "kurrë nuk do t’i nënshtrohen Serbisë dhe (presidentit të Serbisë Aleksandar) Vuçiqit".
Veseli tha se besojnë që në të ardhmen do të ketë involvim edhe më direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në procesin e dialogut. Ai tha se Kosova është shtet sovran dhe as që do të diskutohet ndonjëherë për shtetin dhe sovranitetin e saj.
"Ne kemi plotësuar të gjitha kushtet. Na ndihmoni edhe ju (mediat), nuk ka nevojë të na krijoni thyesa tjera të panevojshme. S’ka nevojë të krijoni. Duhet të jepet liberalizimi i vizave për faktin se aspektin e procedurave të cilat kanë qenë teknike, të cilat i ka vënë vetë BE-ja, Kosova i ka respektuar të gjitha dhe ka qenë shumë korrekt. Ndoshta kemi plotësuar më shumë kushte se sa shumica e vendeve", tha Veseli.
Udhëheqësit e institucioneve të larta kanë paralajmëruar fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.
Ky është takimi i parë zyrtar i krerëve institucional kosovarë pas Samitit të Berlinit që u mbajt më 29 prill.