Umur Koçak Semiz
06 Shtator 2016•Përditësim: 06 Shtator 2016
ANKARA (AA) – Shkencëtarët amerikanë zbuluan se përse njerëzit janë aq shumë të dhënë pas produkteve që përmbajnë nisheste, siç janë makaronat, buka, orizi dhe patatet, raporton Anadolu Agency (AA).
Hulumtuesit e Universitetit Shtetëror të Oregonit kanë zbuluar se njerëzit kanë një shqisë të gjashtë të shijimit për ushqimet që përmbajnë “nisheste”.
Doc.Dr Juyun Lim nga Departamenti i Shkencës dhe Teknologjisë Ushqimore pranë Universitetit të Oregonit, tha se në hulumtimin e realizuar nxorrën në pah se shqisa e të shijuarit mund t’i dallojë karbohidratet në prodhimet ushqimore si makaronat, patatet dhe buka.
“Çdo kulturë ka burimin e saj të karbohidrateve. Gjatë studimit, vullnetarëve u dhamë një perzierje që ua bllokoi enzimet pështymore dhe receptorët e shijeve të ëmbla. Më pas, vullnetarëve u dhamë karbohidrat në formë të lëngshme në nivele të ndryshme që i ndamë. Pjesëmarrësit në studim shijen që e provuan e quajtën si 'shije nishesteje'. Ndërkaq, vullnetarët me origjinë nga Azia shijen në fjalë e përshkruan me orizin, kurse pjesëmarrësit e racës së bardhë e krahasuan me bukën për ta përcaktuar atë", tha Lim.
Duke u theksuar se ende nuk kanë arritur që në gjuhë t’i gjejnë receptorët që ndajnë “nishesten”, Lim shtoi se studimi ende vazhdon.
Deri tani mendohej se enzimet në pështymën e njeriut mund t’i dallonin molekulat e nishestes si sheqerëra të thjeshta dhe se njeriu mund ta shijonte vetëm sheqerin në karbohidrate.
Ndryshe, shijeve themelore, e ëmbël, e njelmët, e hidhur dhe e tharët, para shtatë viteve i ishte shtuar edhe shija umami. Shijes së pestë e cila perceptohet me anë të receptorëve glutamat L, i ishte dhënë emri umami duke i bashkuar fjalët “umai” që në gjuhën japoneze do të thotë “e lezetshme”, dhe “mi” po në të njëjtën gjuhë ka kuptimin e “shijes”.
Hulumtimi është publikuar në revistën shkencore “New Scientist”.