Beril Çanakcı
14 gusht 2026•Përditësim: 14 gusht 2026
Më shumë se 2.000 robotë humanoidë nga 16 vende pritet të garojnë në Pekin këtë muaj, duke e katërfishuar pjesëmarrjen krahasuar me edicionin e parë të zhvilluar vitin e kaluar, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, transmeton Anadolu.
Edicioni i dytë i Lojërave Botërore të Robotëve Humanoidë, që do të zhvillohet më 22-26 gusht, ka tërhequr 666 ekipe dhe 2.056 robotë, raportoi Xinhua.
Pjesëmarrësit përfshijnë ekipe nga SHBA-ja, Gjermania, Japonia dhe Brazili, raportoi Xinhua, duke cituar Jiang Guangzhi, drejtorin e Byrosë Komunale të Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Pekinit.
Ekipet kineze përbëjnë 641 nga ekipet e regjistruara.
Ngjarja do të përfshijë më shumë se 30 gara, përfshirë vrapimin dhe futbollin, si dhe kërcimin së gjati, ngritjen e peshave, tërheqjen e litarit dhe pingpongun, të shtuara rishtazi.
Garat e tjera do të shkojnë përtej sportit, duke testuar robotët në detyra si montimi, mirëmbajtja e shtëpisë, reagimi në raste emergjencash dhe sistemimi i librave, në ambiente të projektuara për t’iu ngjarë fabrikave, hoteleve, shtëpive dhe qendrave logjistike.
Sipas raportimit, lojërat janë krijuar për të testuar aftësinë e robotëve humanoidë për të lëvizur, për të ruajtur ekuilibrin dhe për të manipuluar objekte.
Organizatorët thonë se disa nga rregullat e garave mund të kontribuojnë përfundimisht në krijimin e standardeve teknike për përdorim industrial.
Ngjarja tërhoqi vëmendje ndërkombëtare vitin e kaluar, kur në edicionin e parë morën pjesë më shumë se 500 robotë nga 280 ekipe që përfaqësonin 16 vende.
- Zhvillimi i Kinës në fushën e robotikës
Robotët humanoidë janë bërë që atëherë një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve të Kinës për zhvillimin teknologjik.
Videot e robotëve humanoidë kinezë duke kryer lëvizje të arteve marciale dhe rutina gjimnastikore në Galan e Festës së Pranverës në vend, më 16 shkurt, u bënë virale në mbarë botën.
Një zyrtar i qeverisë kineze tha në korrik se prodhimi i robotëve humanoidë në vend pritet të tejkalojë 100 mijë njësi këtë vit, ndërsa sektori po shkon drejt përdorimit më të gjerë komercial.
Lojërat shërbejnë gjithashtu si një vitrinë për një industri në të cilën Kina tashmë dominon në aspektin tregtar.
Prodhuesit kinezë përbënin më shumë se 97 për qind të dërgesave globale të robotëve humanoidë në gjysmën e parë të vitit 2026, sipas kompanisë amerikane të hulumtimit të tregut Smart Analytics Global, me bazë në Kaliforni.
Rritja e industrisë ka tensionuar gjithashtu marrëdhëniet me Washingtonin.
Komisioni Federal i Komunikimeve i SHBA-së më 29 korrik kufizoi mundësinë që robotët e rinj humanoidë dhe katërkëmbësh të prodhuar jashtë vendit të marrin autorizimin që kërkohet përgjithësisht për importimin, tregtimin ose shitjen e tyre në SHBA, duke përmendur rreziqet për sigurinë kibernetike dhe sigurinë kombëtare.
Kufizimet nuk prekin robotët që tashmë janë autorizuar për përdorim në SHBA, por mund të kufizojnë qasjen e prodhuesve kinezë në një treg të rëndësishëm potencial, ndërsa ata zgjerohen në tregjet jashtë vendit.