Fatjon Cuka
16 Qershor 2016•Përditësim: 16 Qershor 2016
TIRANË (AA) - Sot është prezantuar marrëveshja 2-vjeçare e bashkëpunimit midis Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Zyrës Rajonale për Evropën të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për periudhën 2016 -2017, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e organizuar në Tiranë ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se përmbajtja e marrëveshjes në krahasim me atë të mëparshmet ka evoluar bashkë me ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri, por edhe në varësi të sfidave që njerëzimi ka në lidhje me shëndetin publik.
“Konteksti kryesor vazhdon të mbetet 'Axhenda 2020' e Shëndetit për Evropën. Bashkëpunimi ka qenë i efektshëm dhe konkret në aspekte të ndryshme. Zyra e OBSH-së për Evropën është përgjigjur me shpejtësi dhe cilësi”, u shpreh Beqaj.
Kjo marrëveshje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë pasqyron vlerat, parimet dhe konceptet e Politikës Evropiane Kornizë për Shëndet dhe Mirëqenie 2020, adoptuar në Sesionin e 62-të të Komitetit Rajonal për Evropën të OBSH-së.
Strategjia ‘Shëndet 2020’ e OBSH-së përqendrohet jo vetëm në promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve, por nxjerr në pah nevojën për reduktimin e pabarazive dhe krijimin e mjediseve mbështetëse. Në këtë strategji bëhet thirrje për mbështetje ndaj grupeve më të rrezikuara të popullatës.
Prezantimi i marrëveshjes përkon me largimin nga Shqipëria të drejtueses aktuale të Zyrës së OBSH-së, Ledia Lazëri dhe marrjen e detyrës si përfaqësuese e OBSH-së në Shqipëri të Nazira Artykova.