Sibel Vezaj
30 Dhjetor 2016•Përditësim: 31 Dhjetor 2016
PRISHTINË (AA) - Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Imet Rrahmani sot mbajti një konferencë për media, ku foli për të arriturat gjatë vitit 2016 në kuadër të ministrisë së tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij, ministri Rrahmani tha se viti 2016 ka qenë një vit sfidues, dinamik, me aktivitete intensive, ku vuri në dukje se shëndetësia është një fushë e cila kërkon gjithmonë përmirësim dhe angazhime. Ai shtoi se kjo fushë ka pritshmëri të madhe të qytetarëve të cilat mund të jenë përtej mundësive që mund të ofrojë sistemi shëndetësor, sidomos në një shtet të ri siç është Kosova.
Duke përmendur sukseset e ministrisë së tij, Rrahmani foli për hartimin e politikave dhe të legjislacionit, plotësimin e kornizës ligjore si dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale në fushën e shërbimeve shëndetësore.
“Janë siguruar 1.6 milionë euro për shëndetin e nënave dhe fëmijëve dhe janë shpërndarë nëpër institucionet tona spitalore. Në përfundim e sipër është procesi i përgatitjes së shpalljes së tenderit për përgatitjen e hapësirës për fillimin e spitalit Pediatrik, obligim ky që ka marrë Ministria e Shëndetësisë, janë siguruar 3 autoambulanca dhe shumë investime të tjera”, tha ministri Rrahmani.
Ai po ashtu foli për shtyrjen e mbledhjes së Premiumeve, e cila pritej të mbahej në fillim të janarit, duke theksuar se kjo mbledhje do të fillojë jo më vonë se në muajin korrik. Ministri po ashtu tha se shtyrja e saj nuk e dëmton angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë për përgatitje të mëtejme për funksionalizimin e Fondit të sigurimeve shëndetësore. Rrahmani një theks të veçantë i kushtoi edhe themelimit të odave të profesionistëve shëndetësorë si dhe bashkëpunimit me donatorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Ministria e Shëndetësisë së bashku me shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka pranuar brenda vitit 2016 një donacion rreth 3.5 milionë dollarë amerikan të barnave dhe materialeve harxhuese. Gjithashtu kanë filluar punimet duke u bazuar në marrëveshjen me TIKA-n, (Agjencia Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim) për rinovimin e kujdesit intensiv që t’i shtojë kapacitetet e mjekimit intensiv qendror për 27 vende. Presim që nga mesi i muajit të shtatë të bëhet edhe inaugurimi dhe futja në përdorim i këtyre kapaciteteve”, tha Rrahmani.
Ministri me këtë rast theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë mes ministrive të Shëndetësisë të dy shteteve, të Turqisë dhe të Kosovës, ku përmendi që gjatë këtij viti është mbajtur java e shëndetësisë Kosovaro-Turke dhe rikujtoi për përfitimin e trajnimeve disa javore të mbajtura në Turqi të dy grupeve të fushës së emergjencave.
Duke vënë në dukje se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen, Rrahmani tha se “Bashkëpunimi do të intensifikohet dhe kemi marrë garanci edhe nga vizita e fundit që kemi bërë në Turqi nga ministri i Shëndetësisë, sidomos fusha e ngritjes së kapaciteteve profesionale do të jetë fusha që do të bashkëpunojmë shumë”, tha ministri Rrahmani.
Ai së fundmi theksoi se të arriturat në fushën e shëndetit publik, punësimin e specialistëve të papunë, ndarjen e 199 specializimeve, mbi 106 operime në kardiokirurgji, duke vënë në dukje që këto i kanë kursyer rreth 1.500.000 euro të buxhetit të vendit.