Onur Usta
18 Janar 2016•Përditësim: 19 Janar 2016
PARIS (AA) – Ministrja e Shëndetësisë së Francës, Marisol Touraine, ka deklaruar se pas testit fatal të një medikamenti nuk ka arsye për t'i ndalur eksperimentet dhe hulumtimet laboratorike, raporton Anadolu Agency (AA).
Touraine ka folur për radion RTL, dhe pyetjes në lidhje me testimin e medikamentit të bërë në qytetin Rennes dhe që rezultoi me vdekje ju përgjigj se: ''Problemi i madh dhe masiv ndodhi në Francë për herë të parë. Por nuk ka arsye për t'i ndalur të gjithë eksperimentet klinike''.
Duke theksuar se emergjencat duhet më shpejt të paraqiten tek autoritetet, Tourraine shtoi se pritej që në raste të tilla të rënda, në një mënyrë më të shpejtë të mobilizohen qendrat shëndetësore.
Gjithashtu Touraine theksoi se ndihma financiare për pacientët e dëmtuar nga eksperimenti mund të bëhet drejtpërdrejt ose nëpërmjet sigurimit shëndetësor.
Javën e kaluar, në qytetin veriperëndimor të Francës, në Rennes, humbi jetën një person dhe 5 të tjerë ishin dërguar në spital, të cilët kanë përdorur një medikament qetësues që ka qenë në fazën e testimit. Në fazën e testimit ky medikament së pari është testuar në shimpanzetë dhe që nga viti i kaluar iu është dhënë 128 vullnetarëve.