Duygu Yener
28 Janar 2017•Përditësim: 29 Janar 2017
ANKARA (AA) – Në kuadër të ofensivës ushtarake “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë gjatë 24 orëve të fundit janë neutralizuar 14 terroristë të DEASH-it, bëjnë të ditur Forcat e Armatosura Turke, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ofensiva “Mburoja e Eufratit” ka filluar më 24 gusht të vitit 2016 në veri të Sirisë për të neutralizuar kërcënimin terrorist me theks mbi DEASH-in dhe me qëllim të forcimit të sigurisë në vijën kufitare siriano-turke.
Ofensivën e kryesojnë forcat opozitare siriane, ndërsa në pajtim me të drejtën ndërkombëtare për vetëmbrojtje i mbështesin forcat turke, si dhe koalicioni ndërkombëtar për luftë kundër DEASH-it.
Shtatmadhoria e Turqisë njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit, në ditën e 158-të të ofensivës vazhdohet me zbulimin dhe shkatërrimin e bastioneve të DEASH-it përgjatë vijës kufitare siriano-turke.
Siç thuhet është hapur zjarr mbi 197 objektiva të DEASH-it, ndërsa janë neutralizuar 14 terroristë. Në mesin e 197 objektivave terroriste pjesa më e madhe janë strehimore, bunker, depo armësh dhe automjete ushtarake.
Në rajonin Al-Bab dhe Bzagah në veri të Sirisë gjatë sulmeve ajrore janë shkatërruar 17 objekte banimi dhe depo armatimi të cilat i kanë përdorur pjesëtarët e DEASH-it. Po ashtu janë shkatërruar edhe 62 mjete shpërthyese të punuara në dorë. Që nga fillimi i ofensivës ushtarake janë neutralizuar 3.344 mjete shpërthyese të prodhuara në dorë dhe 55 mina.