Zuhal Demirci
16 Qershor 2017•Përditësim: 16 Qershor 2017
ANKARA (AA) - Ministria e Jashtme e Turqisë mbrëmë ka ftuar ambasadorin e SHBA-ve në Turqi për bisedë, pasi SHBA-të kanë lëshuar urdhër për arrestimin e 12 truprojave të Erdoğanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadori i SHBA-ve në Ankara, John Bass, është ftuar në Ministrinë e Jashtme të Turqisë pasi që SHBA-të kanë lëshuar urdhër për 12 truprojat e Erdoğanit, që ka të bëjë me përleshjen para ambasadës turke në Uashington në maj, gjatë vizitës së Presidentit të Turqisë në SHBA.
"Me të mësuar se autoritetet amerikane kanë lëshuar urdhër arresti, për disa qytetarë tanë, si dhe për disa truproje të presidentit tonë, ambasadorin e SHBA-ve në Ankara, e ftuam në ministri", thuhet në deklaratë.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë thonë se një vendimi i tillë është i papranueshëm. "Ky vendim është i gabuar, i njëanshëm dhe pa bazë ligjore. Përleshja fizike para ambasadës tonë në Uashington ka ndodhur për shkak se strukturat lokale të sigurisë nuk kanë marrë masat e nevojshme. Nëse SHBA-të në këtë rast do të kishin marrë masat siç merren me rastin e vizitave të zyrtarëve të lartë, ky problem nuk do të kishte ndodhur. Prandaj porositëm ambasadorin e SHBA-ve se shtetasit tanë nuk mund të jenë përgjegjës për atë që ka ndodhur", thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se policët amerikanë kanë injoruar ngjarjet para ambasadës atë ditë. "Ambasadorit të SHBA-së po ashtu i kemi përcjellë se nuk është në përputhje me drejtësinë që zyrtarët amerikanë të mbyllin sytë, ndërsa disa demonstrues të dyshuar, që mbanin flamuj dhe simbole të organizatave terroriste, afrohen vetëm pak metra nga ndërtesa e Ambasadës turke në Uashington dhe sulmojnë qytetarët e pafajshëm. Gjithashtu i kemi thënë se nuk është e drejtë të mos merren kurrfarë masash ndaj policëve amerikanë të cilët u sulën ndaj truprojave të ministrit tonë para ambasadës", thuhet në deklaratë.
Në fund nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, theksohet se vendimi i SHBA-ve për urdhër arrestin e 12 truprojave të Erdoğanit është bërë pa ndonjë hetim të pavarur dhe të paanshëm.