Murat Paksoy
12 Nëntor 2017•Përditësim: 13 Nëntor 2017
STAMBOLL (АА) – Gjysmëhëna e Kuqe Turke paralajmëroi se do të kandidojë për librin Gines (Guinness) të rekordeve për shkak të pjesëmarrjes rekorde në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) e cila nga 5 deri më 11 nëntor është mbajtur në Antalia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke theksohet se organizata për herë të dytë është nikoqir i Asamblesë së Përgjithshme dhe se kësaj here në asamble kanë marrë pjesë 191 vende, duke përfshirë dy vende me status të vëzhguesit.
Prej 189 anëtareve të Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq/Gjysmëhënës (IFRC) në Asamblenë e Përgjithshme kanë marrë pjesë gjithsej 1.646 delegatë.
“Gjatë ditëve në vijim do të aplikojmë që pjesëmarrja rekorde në Asamblenë e Përgjithshme të vendoset në mesin e rekordeve në librin Guinness që në mënyrë shtesë ta zgjojmë ndjenjën e unitetit që ky rrjet humanitar e kultivon. Në Antalia ishin edhe delegacionet-vëzhguese nga Republika Turke e Qipros Veriore dhe nga Kosova, ndërsa disa delegacione nga ishujt e largëta katër ditë kanë udhëtuar për të marrë pjesë në asamblenë e cila mund të themi, mblodhi tërë botën”, deklaroi Kerem Kinik, kryetari i Gjysmëhënës së Kuqe Turke.
Kinik po ashtu theksoi se bota po kalon nëpër një periudhë të vështirë të krizës dhe se njerëzimit sot i nevojitet rrjet i fuqishëm i Kryqit të Kuq/Gjysmëhënës.
Në asamblenë në Antalia është zgjedhur edhe kryesia e re e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ndërsa kryetari i ri i kësaj organizate për katër vitet e ardhshme është Francesco Rocca, kryetari i Kryqit të Kuq të Italisë. Zëvendësi i tij për Evropën është pikërisht nikoqiri i Asamblesë së fundit, Kerem Kinik.