Mehmet Tosun
15 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
AFYONKARAHİSAR (AA) - Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar: "Me qëndrimet kundër vendit tonë kanë zbrazur edhe brendësinë e BE-së. Ja Britania pse largohet nga Bashkimi Evropian? Kreu referendumin e quajtur Brexit dhe mori vendimin për t'u larguar. Pas kësaj tashmë as BE-ja dhe as një vend i BE-së nuk ka më të drejtën të japin mësim për demokraci, liri, drejtësi dhe ligj. Shpirti i fashizmit shëtit nëpër rrugët e Evropës", raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan, ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e inaugurimeve masive të zhvilluar në sheshin Republika në qytetin Afyonkarahisar. Ai pasi ka vënë në dukje se sot në Holandë mbahen zgjedhje, është shprehur se "Do të zbulohet se çfarë do të bëjnë pronarët e kuajve dhe qenërve. Këto nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë. Këto gjithashtu nuk kanë lidhje as me botën moderne. Këto janë ato që masakruan mbi 8 mijë muslimanë boshnjakë në masakrën e Srebrenicës në Bosnje dhe Hercegovinë".
"Është e pamundur të jemi qytete binjakë me këto lloj njerëzish"
Pasi ka rikujtuar se Stambolli me Rotterdamin janë "qytete të binjakëzuar", Erdoğan, ka shtuar më tej: "Rotterdami qenka edhe qytet i binjakëzuar me Stambollin. Dje në mbrëmje i shpreha kryeministrit ‘të bisedojmë menjëherë me kryetarin e bashkisë së Stambollit dhe të prishë njëanshëm marrëveshjen e binjakëzimit me këto. Sepse është e pamundur të jemi qytete binjakë me këto lloj njerëzish".
"Evropa ka dalë në fushatën "jo"
"Në lidhje me referendumin që do të mbahet me 16 prill e gjithë Evropa e mobilizuar ka dalë në fushatën "jo". Madje edhe gazetat dalin me tituj 'jo', dhe 'jo diktatorit Erdoğan'. Por kjo nuk ka lidhje me personalitetin tim. Kjo në Turqi është një votim dhe për ndryshim të sistemit. Çfarë lidhje ka kjo me Tayyip-in, me Erdoğan-in?", shprehur presidenti i Turqisë në lidhje me zhvillimet e përjetuara në disa vende të Evropës para referendumit popullor.
Ndër të tjera duke theksuar se Evropa trembet nga çdo gjë që nuk është prej tyre, Erdoğan ka vazhduar më tej se "Evropa po shkon drejt mbytjes me frikën e saj. Frika turke ka marrë udhën, frika nga Islami ka marrë udhën. Madje kanë frikë edhe nga refugjatët që strehohen tek ata për të mbijetuar pasi nuk iu ka mbetur asgjë, tremben nga çdo gjë që nuk është prej tyre, armiqësohen me çdo gjë që nuk është prej tyre."
"Mirë evropianët i kuptuam, por partia jonë opozitare çfarë ka? I shpjegojnë çështjet sikur janë të tilla dhe nuk kanë lidhje aspak me ndryshimet e kushtetutës. Duke turbulluar në këtë mënyrë mendjen e popullit vetëm i dërgojnë ujë mullirit të armiqve të Turqisë. Faktikisht në ndryshimet kushtetuese që populli ynë do të votojë më 16 prill janë gjithsej 16 pika. Kreu i opozitës as që e ka marrë mundimin ti lexojë këto 16 pika", është shprehur Erdoğan.