Muhammed Enes Can
11 Nëntor 2015•Përditësim: 12 Nëntor 2015
STAMBOLL (AA) – Në kuadër të procesit kundër "strukturave paralele" që i referohet rastit të njohur si "Hetimi i 25 dhjetorit" gjykata penale e 13 në Stamboll, kërkoi që Gjykata Penale në Ankara të ftojë për të dhënë deklaratë në cilësinë e tij si parashtrues i ankesës, Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, zëvendëskryeministrin, Yalçın Akdoğa dhe drejtorin e Shërbimit Informativ të Turqisë (MIT), Hakan Fidan, raporton Anadolu Agency (AA).
Është një proces kundër 69 të dyshuarve, përfshirë Fethullah Gulen, të cilët akuzohen që përmes "strukturave paralele", kanë shpërdorur detyrat zyrtare dhe me procesin gjyqësor në fund të vitit 2013 kanë akuzuar dhe dëmtuar pa baza zyrtarët e lartë të qeverisë. Ky proces "hetimi i 25 dhjetorit", kishte akuzuar udhëheqësit e shtetit për korrupsion dhe abuzim të pushtetit, kurse gjykata e hodhi poshtë si të pabazë. Më vonë, të akuzuari në këtë rast, apeluan vendimin dhe iniciuan procedurë kundër "strukturave paralele".
Gjykata në Stamboll, e cila drejton hetimet e këtij rasti, i ka kërkuar Gjykatës në Ankara që të marrë deklaratat e zyrtarëve më të lartë turq dhe t'i pyes nëse do të marrin pjesë në seancat gjyqësore kundër "strukturave paralele".
Gjykata po ashtu ka kërkuar deklaratat e 27 të dëmtuarave në rastin e mëparshëm, kurse në mesin e tyre është edhe kryeministri, turk Ahmet Davutoglu.
Prokuroria në Stamboll në mars të këtij viti kërkoi paraburgimin e Fethullah Gulenit, udhëheqësi i lëvizjes të cilën prokuroria e ngarkon me disa aktivitete të paligjshme. Autoritetet turke më 2 shkurt kanë kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës heqjen e "kartës së gjelbërt" Fethullah Gulenit. Atij më 28 janar 2015 mbi bazën e "dëshmisë së rreme" i është anuluar pasaporta turke.
Turqia më parë kishte lëshuar urdhër arresti kundër Gulenit, të akuzuar për udhëheqjen e një organizate kriminale dhe tentimit për grusht shteti për të përmbysur qeverinë e udhëhequr nga Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i atëhershëm dhe presidenti aktual i vendit. Nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, Turqia nga SHBA ka kërkuar ekstradimin e Gulenit për shkak të ndjekjes penale nga gjyqësori turk.