Gratë e Bitlisit ruajnë traditën e përdorimit të leshit për produkte të ndryshme
Pavarësisht përhapjes së teknologjisë në çdo fushë të jetës së përditshme, gratë vazhdojnë t’i përdorin metodat tradicionale dhe produktet e përgatitura nga leshi jo vetëm për nevojat e shtëpisë, por edhe për përgatitjen e pajës.
Şener Toktaş, Orhan Alca
06 shtator 2026•Përditësim: 06 shtator 2026
photo: Şener Toktaş / AA
Bitlis
Gratë në Hizan të Bitlisit në Turqi e përpunojnë me metoda tradicionale leshin e deleve të qethura në kullota verore dhe e shndërrojnë në fije.
Gratë e fshatit Yenicik, të vendosur në shpatin e një mali në Hizan, nisin punën me leshin herët në mëngjes, kur ngjiten në kullota.
Pas mjeljes së deleve, ato e mbushin qumështin në enë, ndërsa leshin e deleve të qethura e vendosin në thasë dhe, duke i mbajtur ngarkesat e rënda në shpinë, kthehen në fshat.
Foto : Şener Toktaş/AA
Pasi sillet në fshat, leshi lahet dhe thahet në diell, më pas rrihet me shkopinj për t’u shkrifëruar dhe kalohet në krehër për t’u ndarë në fibra dhe për t’u zbutur.
Në fund, leshi shndërrohet në fije me anë të mjetit të tjerrjes dhe përdoret për prodhimin e çorapeve, sixhadeve të namazit, hejbeve dhe qilimave.
Foto : Şener Toktaş/AA
Pavarësisht përhapjes së teknologjisë në çdo fushë të jetës së përditshme, gratë vazhdojnë t’i përdorin metodat tradicionale dhe produktet e përgatitura nga leshi jo vetëm për nevojat e shtëpisë, por edhe për përgatitjen e pajës.
- “Kjo është një kulturë”
Gurbet Demir, e cila së bashku me nënën e saj e shndërron leshin në fije, tha për Anadolu se puna e tyre në kullota nis herët në mëngjes.
“Leshi i kafshëve që qethim në kullota e sjellim në fshat dhe e lajmë. Pasi e thajmë, e kalojmë në krehër dhe më pas e shndërrojmë në fije me mjetin e tjerrjes. Nga leshi bëjmë çorape, sixhade namazi, veshje, dyshekë, jastëkë dhe qilima. Gjithçka e bëjmë me lesh. Meqë rruga është e largët, e kemi të vështirë ta sjellim leshin, por pa u përpjekur nuk bëhet. Produktet prej leshi i përdorim në jetën e përditshme. Ua rekomandoj të gjithëve përdorimin e leshit. Jorganët, jastëkët dhe dyshekët prej leshi janë më të shëndetshëm".
Fadime Demir, e cila tha se leshin e përpunon me metodën që ka mësuar nga nëna e saj, u shpreh: “Është një punë e mundimshme. Meqë distanca është e largët, edhe fëmijët e mi e kanë të vështirë. Të bëj fije nga leshi e kam mësuar nga nëna ime. Përdorim metoda tradicionale.”