Gökhan Ergöçün
24 Nëntor 2022•Përditësim: 25 Nëntor 2022
Në Istanbul filluan Samiti i 8-të botëror i produkteve hallall dhe Ekspozita e 9-të e Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) për produktet hallall, ku zyrtarët po shqyrtojnë masat për të zgjeruar më tej tregun global për këto produkte, raporton Anadolu Agency (AA).
Pothuajse 500 ekspozues nga 40 vende do të marrin pjesë në ngjarjet katër-ditore, duke shfaqur një shumëllojshmëri produktesh dhe shërbimesh në përputhje me udhëzimet islame.
Ngjarjet, për të cilat AA është partneri global mediatik, pritet të tërheqin rreth 40 mijë vizitorë, duke përfshirë rreth 9 mijë vizitorë të huaj.
Dy tubimet kryesore, të konsideruara si platformat më të rëndësishme të bashkëpunimit për tregun hallall, synojnë ta bëjnë Türkiye-n qendrën e një sektori të prosperuar, me vlerë prej më shumë se 7 trilionë dollarë.
Në një mesazh të lexuar në ceremoninë e hapjes, presidenti Recep Tayyip Erdoğan përshëndeti rëndësinë ndërkombëtare në rritje të tregut hallall.
Ai tha se shtrirja e tij është përtej muslimanëve, tek çdo person që kërkon produkte dhe shërbime cilësore.
Emre Ete, anëtar i këshillit të Samitit Botëror Hallall, vuri në dukje rëndësinë e sektorit si një mjet i rritjes ekonomike dhe solidaritetit në botën muslimane.
"Ne do të vazhdojmë të punojmë për të rritur aftësinë dhe solidaritetin e muslimanëve për të vepruar së bashku për të drejta dhe barazi përballë padrejtësisë dhe shtypjes, për të mbështetur njëri-tjetrin në kontekstin ekonomik, për të rritur sektorin hallall prej 4 trilionë dollarësh dhe për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me tregun hallall", tha ai.
Ihsan Övüt, sekretar i përgjithshëm i Institutit të Standardeve dhe Metrologjisë për Vendet Islame (SMIIC), theksoi fokusin e rreptë ndaj cilësisë në tregun hallall.
Ai tha se 17 ekipe teknike të SMIIC-së janë angazhuar në përpjekjet për standardet lokale dhe rajonale sipas nevojave të industrisë.
"Standardet janë gjuha e përbashkët për të cilën ne po punojmë për ta bërë jetën tonë më të lehtë", tha ai.
- "Të rritet tregtia me certifikatat hallall"
Nureddin Nebati, ministri turk i Thesarit dhe Financave, shpjegoi se industria hallall ka lëvizur përtej ushqimit, për të zotëruar një pozicion të rëndësishëm në fusha të tilla si financat, tekstilet, kozmetika, mjekësia, turizmi dhe logjistika.
Ai tha se duke përjashtuar financat islame, ekonomia hallall është rritur në 2,1 trilionë dollarë.
Ushqimi hallall mbetet komponenti kryesor me 1,3 trilion dollarë, i ndjekur nga tekstilet (295 miliardë dollarë), media (231 miliardë dollarë) dhe turizmi (102 miliardë dollarë), tha ministri Nebati.
Ai tha se rëndësia e produkteve me certifikata hallall po rritet çdo ditë, veçanërisht për muslimanët, të cilët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së botës.
"Ne presim që vëllimi i tregtisë me certifikatat hallall të rritet me zbatimin e standardeve SMIIC, kontributin e vendeve anëtare të OBI-t dhe aplikimin e një sistemi të harmonizuar akreditimi", tha Nebati.
Në fushën e financave islame, ai tha se sektori ishte rritur në 3,1 trilion dollarë në vitin 2021 dhe pritet të arrijë në 3,4 trilion dollarë këtë vit.
"Ekosistemi i financimit me pjesëmarrje, i cili ka një histori gati 40 vjeçare në vendin tonë, është bërë tashmë një nga elementët më të vlefshëm të sektorit tonë të shërbimeve financiare", tha ai.
Në sektorin bankar të Türkiye-s, pjesa e shërbimeve të financimit me pjesëmarrje është zgjeruar në 8,5 për qind nga 5 për qind në pesë vitet e fundit, duke synuar objektivin prej 15 për qind, shtoi ministri.
Türkiye gjithashtu ka një vend veçanërisht të rëndësishëm në turizmin hallall si një nga vendet më të zhvilluara muslimane në këtë fushë, tha Nebati.