Muhammet Emin Avundukluoğlu
23 Qershor 2020•Përditësim: 24 Qershor 2020
Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, kritikoi sot fjalët e presidentit francez Emmanuel Macron në lidhje me mbështetjen e Ankarasë për qeverinë e njohur ndërkombëtarisht në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Kritika e shpeshtë e presidentit francez Emmanuel Macron për Turqinë bazohet në pretendime joracionale që rrjedhin nga kolonializmi dhe është larg nga mënyrat e reja të botës", shkroi Şentop në Twitter.
"Për më tepër, këto vërejtje dëmtojnë marrëdhëniet e thella mes Turqisë dhe Francës", shtoi ai.
Pas një takimi me presidentin tunizian Kais Saied në Paris, Macron të hënën vonë kritikoi Ankaranë për mbështetjen e saj për qeverinë libiane kundër gjeneralit puçist, Khalifa Haftar, të mbështetur nga Franca, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia.
Kryeparlamentari turk theksoi se iniciativa e Turqisë në Libi është e bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe në synimin për paqe rajonale.
"Nëse Macron i jep rëndësi paqes në Libi siç pretendon, ai duhet të heqë dorë nga rrëshqitja e rajonit në kaos duke mbështetur Haftarin, ai duhet të shohë që kjo mbështetje mbetet jokonkluzive", shkroi Şentop.
Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të sulmeve ushtarake nga forcat e Haftarit.
OKB e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritet legjitim të vendit pasi Tripoli lufton me milicitë e Haftarit.
Qeveria në mars nisi operacionin Stuhia e Paqes kundër Haftarit për të kundërshtuar sulmet e Haftarit mbi kryeqytetin Tripoli, dhe së fundmi çliroi vendet strategjike, duke përfshirë Tarhuna, fortesa e fundit e Haftarit në Libinë perëndimore.