Sinan Uslu
30 Gusht 2016•Përditësim: 30 Gusht 2016
ANKARA (AA) – Në kuadër të operacionit “Mburoja e Eufratit” e ndërmarrë nga Ushtria e Lirë Siriane me mbështetjen e Forcave të Armatosura Turke (TSK) dhe forcave të koalicionit në Siri, dje nga ora 16:30 në Jarabulus dhe rajonin përreth janë goditur 21 pozicione të terroristëve duke u realizuar 108 gjuajtje me obusë të tipit Firtina, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën e bërë nga TSK theksohet se operacioni “Mburoja e Eufratit” e filluar më 24 gusht me qëllim për ta rritur sigurinë kufitare duke mënjanuar rrezikun që kanoset nga organizatat terroriste me në krye DAESH dhe për t’i mbështetur forcat e koalicionit, po vazhdon brenda kornizave të ligjeve ndërkombëtare, të së drejtës për mbrojtje që parashihet në nenin 51 të Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe të rezolutave të OKB-së të miratuara në kuadër të luftës kundër DAESH-it.
Dje, në ditën e shtatë të operacionit, nga ora 16:30 në Jarabulus dhe rajonin përreth janë realizuar 108 gjuajtje me obusë të tipit Firtina ndaj 21 pozicioneve që u zbulua t’u përkisnin terroristëve, duke u qëlluar në mënyrë precize.
Nga ana tjetër, njoftohet se aeroplanët e forcave të koalicionit, mbrëmë në orën 23:10 me aeroplanë të tipit A-10 kanë qëlluar dhe neutralizuar dy pozicione që u zbulua t’i përkisnin organizatës terroriste DAESH.
Në deklaratë thuhet se Forcat e Armatosura Turke të cilat po e mbështesin operacionin e koalicionit që po zhvillohet në veri të Sirisë, kanë marrë çdo masë në mënyrë që të mos dëmtohet popullata që jeton në këtë zonë dhe se kanë treguar kujdes maksimal sa i përket kësaj çështjeje.