Gökhan Ergöçün
05 Mars 2020•Përditësim: 05 Mars 2020
Instituti i Standardeve dhe Metrologjisë për Vendet Islamike (SMIIC) dhe Shoqata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur (MUSIAD) kanë nënshkruar dy marrëveshje për të përmirësuar kapacitetin e standardizimit hallall dhe ngritjen e vetëdijes në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Nënshkrimi i marrëveshjeve u realizua në selinë e MUSIAD-it në Stamboll ndërsa të pranishëm ishin krerët e dy institucioneve, Abdurrahman Kaan dhe İhsan Övüt.
Përderisa njëra marrëveshje synon të organizojë ngjarje të përbashkëta për ngritjen e vetëdijes në terren, tjetra synon të krijojë një sistem të monitorimit dhe gjurmimit të aktiviteteve për vlerësimin e përputhshmërisë me standardin Hallall.
Marrëveshja gjithashtu ka për qëllim t'u lejojë kompanive të zbatojnë standardin Hallall në të gjitha fazat, në prodhimin e produkteve dhe ofrimin e shërbimeve.
Kaan tha se zakonet e pastrimit dhe ngrënies të përshkruara në Islam janë të rëndësishme për shëndetin e njeriut.
"Fatkeqësisht, vetëdija në botën islame është e ulët në lidhje me prodhimin dhe konsumin Hallall", tha ai.
Duke folur për përhapjen e koronavirusit, i cili u shfaq në dhjetor të vitit të kaluar në Kinë dhe deri tani ka shkaktuar vdekjen e mbi 3.200 personave në botë. Ai tha se ka pretendime se sëmundja ka origjinë nga kafshë të egra.
Ai theksoi se tani po kuptohet rëndësia e ngrënies dhe therjes Hallall.