Handan Kazancı
19 Maj 2020•Përditësim: 20 Maj 2020
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot shënoi Festën e Përkujtimit të Ataturkut, Rinisë dhe Sportit, duke kujtuar themeluesin e Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk dhe "heronjtë e Luftës së Pavarësisë", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Rinisë dhe kombit tonë të dashur ua uroj 19 Majin, Festën e Përkujtimit të Ataturkut, Rinisë dhe Sportit, dhe i përkujtoj me respekt të gjithë heronjtë e Luftës sonë të Pavarësisë, para së gjithash Mustafa Kemal Ataturkun", tha Erdoğan në mesazhin e tij në Twitter.
Në një deklaratë tjetër, Erdoğan tha: "19 Maji, fillimi i marshimit tonë drejt një të ardhme të pavarur dhe të prosperuar, ishte dita kur kombi ynë i lavdishëm i shpalli gjithë botës se ai as nuk do ta braktiste lirinë e tij, dhe as nuk do të vendosej nën tutelën e askujt në asnjë mënyrë, dhe se do të mbronte pa kushte vullnetin e tij të lirë".
19 Maji është një moment historik në historinë turke, ditën kur Mustafa Kemal arriti në qytetin e Samsunit nga Stambolli në vitin 1919, për të filluar luftën që themeloi Turqinë moderne katër vjet më vonë.
Ataturku ua kushtoi 19 Majin të rinjve si Dita e Rinisë dhe Sportit, një festë kombëtare në të cilën organizohen aktivitete sportive dhe kulturore për të rinjtë dhe ceremoni zyrtare në gjithë vendin.
Këtë vit, për shkak të pandemisë, Turqia po feston 19 Majin me ngjarje virtuale.
Të hënën, presidenti Erdoğan tha se stadiumet në gjithë Turqinë do të ndriçohen në ora 19:19 sipas kohës lokale (16:19 sipas kohës të Evropës Qëndrore) dhe himni kombëtar turk do të transmetohet për të shënuar këtë rast, dhe u bëri thirrje qytetarëve turq t'i bashkangjiten këndimit të himnit nga ballkonet ose dritaret e tyre.