Mehmet Akif Parlak
25 Shkurt 2016•Përditësim: 26 Shkurt 2016
SANLIURFA (AA) - Shpjegimet e dy snaiperistëve PYD/YPG të cilët u arrestuan teksa përpiqeshin të kalonin kufirin në rajonin nën përgjegjësinë e pikës kufitare Mursitpinar, vërtetojnë marrëdhëniet mes PKK-së dhe PYD-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet e sigurisë theksohet se dy persona anëtarë të YPG-së u arrestuan nga ekipet e Komandës së pikës kufitare Mursitpinar dhe të Drejtorisë së shërbimeve informative të Komandës së Xhandarmërisë të qytetit Sanliurfa në Turqi të cilët po tentonin të kalonin nëpërmjet rajonit Kobani të Sirisë (Ajn el Arab) e cila ndodhet nën kontrollin e PYD-së që është krahu i armatosur i organizatës terroriste PKK.
Gjithashtu mësohet se njëri prej personave Mesut C. (29) me emrin e koduar "Diren" është i regjistruar në gjendjen civile në qytetin Bitlis të Turqisë, ndërsa personi tjetër Abdurrahman P. (23) që përdorte emrin e koduar "Tirej" ishte i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile në qytetin Sirnak të Turqisë.
Në kontrollin e ushtruar mbi terroristët u gjetën një pushkë e tipit M-16, 2 kallashnikovë, 8 bomba dore, dy dylbi snaiperi, 12 karikatorë, 1 mijë e 257 fishekë, 40 fishekë blindshpues, kartë memorie me informacione të organizatës, hartë e detajuar e rajonit Sur në qytetin Diyarbakir, 12 pilula të drogës dhe shumë pilula kurajuese, uniforma me emblemën e YPG-së, materiale për përdorimin e lëndëve shpërthyese dhe 3 jelekë luftarakë.