Duygu Yener
15 Nëntor 2019•Përditësim: 16 Nëntor 2019
Luftëtari i huaj terrorist i cili u bllokua në kufirin Turqi-Greqi është ekstraduar në SHBA, tha ministri i Brendshëm turk, Süleyman Soylu, raporton Anadolu Agency (AA).
"Amerikani i cili mbeti në kufirin mes nesh dhe Greqisë, pak më parë u deportua me avion në SHBA nga Stambolli", tha Soylu në një deklaratë për gazetarët.
Bëhet fjalë për Muhamed Darwis B., shtetas amerikan me origjinë jordaneze i kapur në Siri, i cili fillimisht u deportua nga Turqia të hënën përmes portës kufitare Pazarkule në Edirne për në Greqi si vend i tretë i zgjedhur nga vetë ai.
Megjithatë, kur ai u largua nga porta kufitare turke drejt portës fqinje greke, zyrtarët grek nuk pranuan ta lejojnë atë në dy raste.
Kjo bëri që ai të mbetet i bllokuar në zonën ndërkufitare kufirit.
Në përpjekjen e tij të parë të pasuksesshme për të hyrë në Greqi, autoritetet greke e dërguan atë përsëri në portën turke në këmbë. Përpjekja e tij e dytë, megjithatë, rezultoi në një vulë në pasaportën e tij e cila ia ndaloi hyrjen në Greqi.
Ai u lejua të flinte në një makinë të sigurisë kufitare turke, iu sigurua ushqim dhe u dërgua përsëri në zonën tampon në mëngjes.
Po ashtu, ministri Soylu tha se një pjesëtar tjetër "i rëndësishëm" i DEASH-it i kapur nga Turqia së fundmi është person i cili ka kryer bombardime në Evropë dhe Turqi.
"Marrja në pyetje është duke vazhduar", shtoi ministri turk.
Ndryshe, në fillim të këtij muaji, Soylu tha se Turqia do të fillojë ekstradimin e terroristëve të kapur të DEASH-it në vendet e tyre të origjinës.
Çështja e trajtimit të anëtarëve të DEASH-it dhe familjeve të tyre të arrestuar në Siri, përfshirë anëtarët e huaj të grupit terrorist, ka hapur diskutime, ndërkohë që Turqia argumenton se terroristët me origjinë të huaj duhet të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.
Ankaraja ka thënë se do t'i dërgojë anëtarët DEASH-it përsëri në vendet e tyre, por disa vende evropiane kanë refuzuar, duke thënë se terroristëve u janë marrë shtetësitë.