Salim Taş
29 Nëntor 2015•Përditësim: 29 Nëntor 2015
HATAJ (AA) – Trupi i pajetë i pilotit rus i cili humbi jetën gjatë rrëzimit të avionit pas shkeljes së hapësirës ajrore turke, është transportuar me një avion të ushtrisë së Turqisë, nga Hatay në Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).
Trupi i pajetë i pilotit u soll mbrëmë nga Siria në morgun në Hatay që më vonë gjatë ditës së sotme të dërgohet në Ankara, ku gazetarëve nuk iu lejua xhirimi.
Pas pranimit të trupit të pilotit mbrëmë në spitalin në Hatay është kryer edhe ceremoniali fetar të cilin e drejtoi kreu i kishës ortodokse në Ataki, Fadi Hurigil.
Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoğlu mëngjesin e sotëm tha se piloti i cili humbi jetën pas rrëzimit të avionit rus që shkeli hapësirën territoriale të Turqisë i është dorëzuar autoriteteve turke rreth orës 01:45 të natës.
"Pas pritjes nga klerikët ortodoksë rus në Hataj të Turqisë sipas bisedimeve trupi i pajetë i pilotit do ti dorëzohet Rusisë", tha kryeministri turk.
Avionët luftarakë rusë kanë cenuar hapësirën ajrore turke edhe në fillim të tetorit të këtij viti. Pas këtyre dy rasteve, zyrtarët rusë kanë kërkuar falje dhe janë zotuar se incidentet nuk do të përsëriten.
Turqia po ashtu ia tërhoqi vërejtjen Rusisë lidhur me rregullat e angazhimit të saj në kufijtë jugorë të Turqisë, përfshirë edhe reagimin e mundshëm ushtarak.