Diyar Güldoğan
27 tetor 2022•Përditësim: 27 tetor 2022
Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiye-s, Mevlüt Çavuşoğlu, ka dënuar sulmin e armatosur të kryer në Shiraz të provincës jugore iraniane Fars, duke e quajtur sulm "të urryer dhe mizor", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Dënojmë fuqishëm sulmin e urryer dhe mizor terrorist në Iran, i cili vendosi në shënjestër një vend të shenjtë shiit në qytetin Shiraz. Urojmë mëshirën e Allahut për ata që humbën jetën dhe shërim të shpejtë për të plagosurit", shkroi Çavuşoğlu në Twitter.
Të paktën 13 persona humbën jetën dhe 40 të tjerë u plagosën pasi një sulmues i armatosur hapi zjarr në faltoren Shah Cheragh në Shiraz.
Zyrtarët lokal njoftuan se incidenti ndodhi pasditen e djeshme kur njerëzit po përgatiteshin për lutjet mbrëmjes.
Faltorja Shah Cheragh, ku gjendet varri i një dijetari shiit, është destinacion popullor pelegrinësh në Iranin jugor, i frekuentuar nga pelegrinët vendas dhe të huaj.