Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
21 shtator 2022•Përditësim: 21 shtator 2022
Ankaraja shprehu shqetësime lidhur me planet e Rusisë për referendume në disa pjesë të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Jemi të shqetësuar për përpjekjet për të mbajtur referendume të njëanshme në pjesë të Ukrainës nën kontrollin rus”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke, e cila shton se një “fakt i kryer i paligjshëm nuk do të njihet nga komuniteti ndërkombëtar”.
“Përkundrazi, kjo do të ndërlikojë përpjekjet për ringjalljen e procesit diplomatik dhe do të çojë në paqëndrueshmëri të thelluar”, theksohet në deklaratë.
Ministria ripohoi mbështetjen e Türkiye-s për integritetin territorial, pavarësinë dhe sovranitetin e Ukrainës.
Türkiye shprehu gjithashtu “gatishmërinë e saj për të dhënë çdo kontribut të nevojshëm për zgjidhjen e luftës nëpërmjet negociatave paqësore”.
Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi më herët një mobilizim masiv në Rusi prej 300.000 rezervistësh për të mbështetur përpjekjet e tij të luftës në Ukrainë, duke bërë po ashtu një paralajmërim kërcënues përpara referendumeve të planifikuara në disa pjesë të Ukrainës, të denoncuara nga Perëndimi si përpjekje “të rreme” për të aneksuar territore shtesë ukrainase.