Cankut Taşdan
29 Gusht 2022•Përditësim: 30 Gusht 2022
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiye-s njoftoi se dy avionë të tjerë me produkte të ndihmave humanitare të dërguara nga Türkiye u nisën drejt Pakistanit të prekur nga përmbytjet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim të bërë nga llogaria e medias sociale e ministrisë, thuhet se "Dora jonë e ndihmës vazhdon të zgjatet për vëllezërit tanë pakistanezë që janë prekur në fatkeqësinë e përmbytjeve. Nga aeroporti Etimesgut i Ankarasë janë nisur edhe dy avionë të Forcave të Armatosura të Türkiye-s (TSK) që transportojnë produkte të ndihmës humanitare".
Në postim janë publikuar edhe pamje lidhur me procesin e përgatitjes së ndihmave.
Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiye-s (AFAD) ka njoftuar se për të siguruar mbështetjen e produkteve të ndihmës humanitare dhe çadrave (tendave) për Pakistanin e prekur nga përmbytjet është formuar "urë ajrore" dhe se në etapën e parë filloi dërgimi i produkteve të ndihmës humanitare në rajonin e përmbytjeve, të përbërë nga 10 mijë çadra, 50 mijë pako ushqimore, 50 mijë produkte higjienike dhe 10 mijë produkte ushqimore për fëmijë.
Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive të Pakistanit (NDMA), ka njoftuar se mbi 1.000 persona kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga shirat musonike që janë efektivë që nga 14 qershori e deri më tani.
Si pasojë e shirave intensivë, janë dëmtuar 992.871 shtëpi, kanë ngordhur 727.144 kafshë të fermave, janë prekur rreth 33 milionë e 46 mijë njerëz dhe se 498.442 persona jetojnë në kampet e ndihmës që janë ngritur.