Barış Gündoğan
25 Dhjetor 2018•Përditësim: 25 Dhjetor 2018
ANKARA (AA) - Ministria e Mbrojtjes së Turqisë hodhi poshtë shpifjet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në llogari të ushtrisë turke, duke i cilësuar si të papranueshme, të pabaza dhe të pavërteta, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria turke reagoi përmes një deklarate kundër akuzave të bëra nga kryeministri izraelit Netanyahu, i cili bëri akuza kundër Turqisë dhe presidentit Erdoğan lidhur me politikën e këtij vendi në Qipron Veriore dhe luftën kundër organizatës terroriste PKK në rajon.
"Hedhim poshtë shpifjet e papranueshme dhe të pavërteta të kryeministrit izraelit Netanyahu, i cili është ballafaquar me probleme politike dhe akuza për korrupsion në vendin e tij dhe kështu përpiqet të tërheq vëmendjen", thuhet në deklaratë.
Më poshtë thuhet se Forcat Ushtarake të Turqisë, gjatë ndërhyrjeve dhe operacioneve në historinë e saj të lavdishme kurrë nuk kanë bërë diçka për t'u turpëruar, duke shtuar se ata që mbajnë gjakun e fëmijëve palestinezë në duart e tyre nuk mund të shpifin ndaj ushtrisë turke që është garant i paqes.
"Ushtria turke kurrë nuk ka vrarë fëmijë dhe kurrë nuk është përmendur në këtë kontekst. Siç mund të shihet edhe në operacionin paqeruajtës në Qipro, lufta kundër terrorizmit, ofensivave 'Mburoja e Eufratit' dhe 'Dega e Ullirit', të cilat janë kryer në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare si dhe në kushtet më të vështira të operacioneve, Forcat e Armatosura Turke gjithmonë kanë mbrojtur civilët dhe njerëzit e pafajshëm, monumente historike, fetare dhe kulturore", thotë ministria.
Po ashtu u theksua se kjo më së miri shihet kur krahasojmë fotot pas operacioneve në qytetet Rakka, Halep, Mosul dhe Guta, me operacione në Afrin dhe Al-Baab.
"Forcat e Armatosura të Turqisë në të gjitha operacionet e saj, ishin dora e përkëdhelëse për popullin dhe kështu do të vazhdojë. Dëshmitarët më të mirë janë ata që jetojnë në Turqi dhe vendeve përreth, por edhe dhjetëra e mijëra vëllezër tanë kurdë të cilët gjetën strehim në vendin tonë", thuhet në deklaratën e Ministrisë turke të Mbrojtjes.